Të paktën 24 persona, përfshirë katër zyrtarë policorë, kanë humbur jetën në dy incidente të ndara të dhunshme që ndodhën të enjten në Honduras.
Sulmi i parë raportohet të ketë ndodhur në një fermë në veri të vendit, ku të paktën 19 punëtorë u vranë me armë zjarri, sipas autoriteteve lokale.
Ndërkohë, një tjetër sulm ndodhi në qytetin bregdetar Omoa, afër kufirit me Guatemalën, ku mbetën të vrarë katër policë. Sipas zëdhënësit të Policisë Kombëtare, Edgardo Barahona, në këtë incident humbi jetën edhe një civil, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Pas dy ngjarjeve tragjike, Policia Kombëtare njoftoi se do të ndërmarrë “ndërhyrje të drejtpërdrejta” në zonat ku ndodhën sulmet.
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur motivet e sulmit ndaj punëtorëve në fermën në Trujillo, megjithëse veriu i Hondurasit prej vitesh është përballur me konflikte të vazhdueshme për çështje pronësore dhe tokësore.
Sa i përket sulmit ndaj policëve, bëhet e ditur se ata po udhëtonin nga kryeqyteti Tegucigalpa drejt Omoas në kuadër të një operacioni kundër grupeve kriminale.
Numri i saktë i viktimave nga sulmi në fermë mbetet ende i paqartë, pasi familjarët kishin nisur të merrnin trupat e të afërmve para mbërritjes së autoriteteve në vendngjarje.
Ministri i Sigurisë në Honduras, Gerzon Velasquez, deklaroi se disa trupa mund të jenë larguar nga kolegë apo persona të lidhur me grupe kriminale para se policia të arrinte në zonë.