Shoqata e Botuesve të Kosovës ka njoftuar se më 17 qershor do të hapet edicioni i 26-të i Panairit të Librit “Prishtina 2026”, një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në vend.
Me moton “Libri hap botën”, panairi do të mbahet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë dhe do të zgjasë deri më 21 qershor. Ceremonia e hapjes do të zhvillohet më 17 qershor në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Sipas organizatorëve, në panair do të marrin pjesë rreth 100 botues shqiptarë, ndërsa do të prezantohen afro 2000 tituj të rinj dhe rreth 6000 tituj të botimeve të viteve të fundit.
Gjatë pesë ditëve të panairit do të organizohen mbi 40 aktivitete kulturore, promovime librash dhe takime me autorë vendas e ndërkombëtarë. I ftuar nderi i këtij edicioni do të jetë shkrimtari italo-francez Francesco Rapazzini.
Panairi pritet të vizitohet nga rreth 30 mijë qytetarë, studentë dhe nxënës, ndërsa hyrja për vizitorët do të jetë pa pagesë.