Vrasja në Prishtinë, Prokuroria jep detaje

Prishtinë | 28 Maj 2026 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Një vrasje e rëndë ndodhi dje në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën personi me inicialet A.H.

Në një njoftim, Prokuroria sot tha se menjëherë pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës, në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Prokurori Kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, si dhe njësitet e tjera relevante, të cilët kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Prokuroria shtoi se në kuadër të këtyre veprimeve është mundësuar edhe sigurimi dhe analizimi i video-incizimeve nga kamerat e sigurisë, të cilët do të shërbejnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

“Po ashtu, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia K9, me qëllim të gjurmimit të lëvizjeve të personit të dyshuar dhe viktimës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërkaq, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë për obduksion.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve intensive hetimore dhe operative me qëllim të arrestimit të personit të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale”.

Të ngjashme