Ekspertë të sigurisë dhe analistë politikë në Kosovë vlerësojnë se thirrjet e presidentit serb Aleksander Vuçiq për mbështetjen e Listës Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë përbëjnë ndërhyrje në procesin zgjedhor dhe cenim të demokracisë, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, Serbia po tenton vazhdimisht të ndikojë në vullnetin e votuesve serbë në Kosovë përmes presioneve politike, mbështetjes financiare dhe strukturave të saj në terren, ndërsa paralajmërojnë se këto veprime pengojnë pluralizmin politik brenda komunitetit serb dhe dëmtojnë procesin demokratik në vend.
Ish-inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Shkëlzen Sopjani, tha për EO se Serbia vazhdimisht tenton të ndikojë në vullnetin e votuesve serbë në Kosovë përmes mekanizmave të saj politikë dhe institucionalë.
“Sa herë që kemi procese zgjedhore në Republikën e Kosovës, Vuçiq drejtpërdrejt tenton të ndikojë në vullnetin e votuesve serbë. Edhe përmes mekanizmave të tij që i ka në Republikën e Kosovës, duke i përdorur ata mekanizma edhe me qëllim të shantazhimit të votuesve, tenton që ta kanalizojë votën e komunitetit serb në Listën Serbe. Pra, të vetmen parti e cila dihet botërisht që është thjesht zgjatim i Vuçiq apo i pushtetit të Vuçiq në Republikën e Kosovës, dhe se Lista Serbe s’ka deri sot të paktën unë nuk di ndonjë moment kur ka vepruar ose të paktën ka ndonjë deklaratë që shkon kundërshtim me vullnetin apo politikat e Vuçiqit. Pra sigurisht se është ndikim i drejtpërdrejtë në votues, edhe është ndikim edhe në proces zgjedhor, marrë parasysh se këtu tentohet të ndikohet vullneti i votuesit kosovar”, tha ai.
Sopjani theksoi se tendencat për ndërhyrje nga Serbia dhe Rusia janë të vazhdueshme, por sipas tij institucionet e Kosovës tashmë kanë përvojën e nevojshme për menaxhimin e situatave të tilla.
“Tendencat janë të vazhdueshme edhe prej Serbisë edhe prej Rusisë, edhe qëllimi primar i tyre është që të dëmtohet një proces zgjedhor, marrë parasysh se përmes kësaj rrjedhimisht cenohet edhe vetë demokracia në Republikën e Kosovës. Po tash sa të suksesshme mund t’i kenë ato tendenca, të paktën në mendimin tim nuk mendoj që kanë me qenë të suksesshme tendencat në fjalë. Pasi që besoj që mekanizmat e sigurisë të Republikës së Kosovës dhe mekanizmat tjerë që merren me menaxhimin e procesit zgjedhor veçse janë mjaftueshëm të pjekura, marrë parasysh edhe përvojën që tashmë veç e kanë bërë këto institucione dhe këta mekanizma për menaxhim të zgjedhjeve. Pra, tendencat do të jenë, tendencat kanë me qenë gjithmonë, nëse mundem me thënë, sa të ekzistojë ky pushtet po edhe me një pushtet tjetër në Serbi, sepse marrë parasysh tash edhe këto protestat e studentëve atje në Beograd, nuk po shihet të paktën asnjë ndryshim më i vogli i politikave shoviniste, nëse mundemi me u referu ashtu, të këtyre studentëve krahasuar me politikat e regjimit të Vuçiq. Pra, nuk pres që do të ketë ndonjë ndryshim të qasjes nga Serbia karshi Republikës së Kosovës, edhe rrjedhimisht kjo na lë me kuptuar që tendencat e tyre kanë me qenë të vazhdueshme. Sa do të jenë të suksesshëm ata në arritjen e qëllimeve të tyre, varet shumë në vigjilencën e institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës, po nuk shoh shumë hapësirë për ndonjë sukses nga ana e tyre”, tha ai.
Ai shtoi se proceset zgjedhore në Kosovë njihen si ndër më demokratiket në rajon dhe se institucionet e sigurisë janë të përgatitura për menaxhimin e tyre.
“Po unë besoj që janë mirë të përgatitura marrë parasysh se tash veç janë bërë disa vjet përvojë dhe disa procese zgjedhore tashmë janë menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse mos të harrojmë proceset zgjedhore të paktën në Republikën e Kosovës njihen si proceset më demokratike në rajon. Pra edhe kjo na lë me kuptuar që institucionet kanë qenë të përgatitura, janë të përgatitura dhe sa herë që kemi më shumë zgjedhje ajo bëhet përvojë më e madhe dhe mundësitë për probleme apo incidente janë më të vogla”, tha ai.
Kurse, analisti politik Afrim Kasolli tha se Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në proceset zgjedhore në Kosovë përmes mbështetjes së Listës Serbe dhe ndikimit mbi komunitetin serb.
“Dëgjo kjo nuk është hera e parë në zgjedhje të vazhdueshme Serbia në forma të ndryshme, do të thotë ka intervenuar në proceset zgjedhore në Kosovë tek komuniteti serb duke e përkrahur Listën Serbe, qoftë edhe nëpërmjet punësimeve, nëpërmjet infrastrukturës financiare, nëpërmjet ndihmave sociale e të tjera në mënyrë që në mënyrë që të orientohet qëndrimi i qytetarëve serbë drejt drejt Listës Serbe dhe nuk ka dyshim do të thotë jo vetëm këto thirrje por dhe këto veprime konstante për të ndikuar në disponimin e elektoratit serb paraqesin cenim. Do të thotë të lirisë së zgjedhjes, të vullnetit autonom të qytetarëve serbë dhe e pengojnë atë që është më e keqja mundësinë e lindjes së një pluralizmi të mirëfilltë brenda komunitetit serb që është në interes të Kosovës”, tha ai.
Sipas Kasollit, ndërhyrjet e Serbisë ndikojnë negativisht në procesin demokratik dhe pengojnë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës.
“Pra në këtë drejtim do të thotë kemi edhe votimet grupore që ndodhin ditën e zgjedhjeve që në mënyrë të vazhdueshme përsëriten tek ai komunitet, janë masa të vazhdueshme që Serbia do të thotë nëpërmjet intervenimeve të saj ka ndikuar negativisht duke cenuar procesin demokratik të votimit brenda komunitetit serb dhe ajo që është më e keqja do të thotë edhe në staza afatgjate i mban peng dhe krijon një iluzion të panevojshëm tek këta qytetarë do të thotë të cilët në vend se të orientohen në vend se të orientohen që t’i kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre në kuadër të institucioneve shtetërore, votimin për Listën Serbe e shohin si një lloj mekanizmi për të ushqyer ëndrrat nacionaliste serbe se kjo është në funksion të ripushtimit të ardhshëm dhe të dominimit të ardhshëm të Serbisë mbi Kosovën. Pra këto sjellje paraqesin si dëmtim të procesit aktual zgjedhor dhe po ashtu në staza afatgjate e pengojnë orientimin e duhur të këtij komuniteti drejt integrimit të mirëfilltë të Kosovës”, tha ai.
Nesër në Kosovë mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës.

