Dorëheqja kolektive e 578 pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës në vitin 2022 mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të sigurisë në periudhën e pasluftës.
Ndërsa fokusi institucional dhe mediatik u përqendrua në zëvendësimin e tyre dhe ruajtjen e rendit publik në veri, një dimension tjetër vazhdon të mbetet pak i trajtuar: çfarë po bëjnë sot këta individë dhe a përfaqësojnë ata një potencial të organizuar për ndikim në favor të interesave strategjike të Serbisë?
Një nga elementet që tërheq vëmendjen është fakti se një numër i konsiderueshëm i ish-policëve vazhdojnë të jenë pjesë aktive e jetës shoqërore dhe institucionale brenda komunitetit serb. Për shkak të përvojës profesionale, kontakteve të krijuara ndër vite dhe njohjes së detajuar të terrenit, ata përbëjnë një kapital njerëzor me vlerë të veçantë për çdo strukturë që synon të monitorojë zhvillimet politike, sociale dhe të sigurisë në veri.
Ekzistojnë gjithashtu indikacione se një pjesë e konsiderueshme e tyre vazhdojnë të sigurojnë të ardhura përmes mekanizmave financiarë të mbështetur nga Serbia, qoftë në sektorin administrativ, në struktura paralele apo në forma të tjera të angazhimit publik dhe privat. Kjo krijon një marrëdhënie varësie institucionale dhe ekonomike, e cila në kontekstet e sigurisë shpesh konsiderohet faktor i rëndësishëm për ruajtjen e ndikimit afatgjatë.
Nga perspektiva e inteligjencës, një aspekt që meriton vëmendje të veçantë është potenciali për mbledhje pasive të informacionit. Ish-policët nuk kanë nevojë të jenë pjesë e ndonjë strukture formale inteligjente për të siguruar informacion me vlerë. Pozicioni i tyre në komunitet, kontaktet me qytetarët dhe qasja në zhvillimet lokale mund t’i bëjnë ata burime të rëndësishme të informacionit për aktorë të interesuar jashtë Kosovës.
Indikacione të tjera lidhen me faktin se shumë prej këtyre individëve ruajnë lidhje të forta me rrjetet politike dhe shoqërore që tradicionalisht kanë funksionuar në koordinim me politikat e Beogradit. Në raste krizash apo tensionesh, rrjete të tilla mund të shërbejnë si mekanizma për mobilizim, shpërndarje narrativesh apo orientim të opinionit publik lokal.
Një dimension veçanërisht interesant është se këta individë posedojnë njohuri të avancuara mbi procedurat operative të Policisë së Kosovës, strukturat komanduese, karakteristikat e terrenit dhe sjelljen e institucioneve të sigurisë. Në terminologjinë e sigurisë, ky përbën një potencial të konsiderueshëm operacional që nuk humbet me dorëheqjen nga detyra.
Për këtë arsye, pyetja nuk është nëse çdo ish-polic serb përbën kërcënim për sigurinë e Kosovës. Një qasje e tillë do të ishte e padrejtë dhe e pambështetur në fakte. Pyetja reale është nëse brenda këtij grupi ekziston një potencial i organizuar që mund të aktivizohet sipas nevojave politike, të sigurisë apo të inteligjencës së Serbisë në të ardhmen.
Përvojat nga rajoni tregojnë se shtetet shpesh ruajnë lidhje afatgjata me ish-zyrtarë të sigurisë, jo domosdoshmërisht për operacione aktive, por si rezerva njerëzore të gatshme për t’u angazhuar kur paraqiten rrethana të caktuara.
Në këtë kontekst, 578 ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk duhen parë vetëm si një statistikë e vitit 2022, por si një faktor që meriton monitorim dhe vlerësim të vazhdueshëm nga institucionet e sigurisë së Kosovës. 461 zyrtarë të Policisë së Rendit, 107 zyrtarë të Policisë Kufitare dhe 10 hetues policorë