Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) ka organizuar Forumin Rajonal të Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut, duke mbledhur në Prishtinë aktivistë, përfaqësues institucionesh, ekspertë ligjorë dhe partnerë ndërkombëtarë. Forumi u fokusua në sfidat me të cilat përballen mbrojtësit e të drejtave të njeriut, si dhe në forcimin e bashkëpunimit dhe mekanizmave të mbrojtjes në Kosovë dhe rajon, raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha Ekzekutive e YIHR Kosovë, Marigona Sadriu, theksoi rëndësinë e krijimit të një mjedisi më të sigurt për aktivistët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, duke vënë në pah sfidat me të cilat ata përballen çdo ditë.
“Sot jemi mbledhur, aktiviste e aktivistë, gazetarë, ekspertë ligjorë, përfaqësues institucional nga Kosova dhe nga rajoni, në një kohë kur puna e mbrojtësve të të drejtave të njeriut është më e rëndësishme se kurrë. Por njëkohësisht, kjo punë përballet me sfida gjithnjë e në rritje. Shumë prej nesh vazhdojmë të përballemi me kërcënime, me sulme online, me fushata diskreditimi dhe presione për shkak të angazhimit tonë. Ky forum është një mundësi e rëndësishme për të shkëmbyer përvoja, për të përforcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të avancuar diskutimin mbi të gjitha për njohjen dhe zbatimin e deklaratës së Kombeve të Bashkuara për mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shpresoj që diskutimet e sotme të sjellin rekomandime konkrete dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më mbështetës për të gjithë ata dhe ato që mbrojnë të drejtat e njeriut”, tha ajo.
Ndërkaq, Zëvendësavokati i Popullit, Niman Hajdari, foli për rolin e pazëvendësueshëm që mbrojtësit e të drejtave të njeriut kanë në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.
“Më lejoni të theksoj se në një shoqëri demokratike mbrojtësit e të drejtave të njeriut luajnë një rol të pazëvendësueshëm në promovimin e dinjitetit njerëzor, barazisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së lirive themelore. Përmes punës së tyre, ata kontribuojnë në identifikimin dhe adresimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut, duke i dhënë zë individëve dhe grupeve që shpesh mbeten të padëgjuar. Megjithatë, në shumë vende mbrojtësit e të drejtave të njeriut vazhdojnë të përballen me sfida, presione dhe forma të ndryshme të kërcënimeve për shkak të angazhimit të tyre. Prandaj është përgjegjësi e institucioneve shtetërore, organizatave dhe shoqërisë në tërësi që të krijojnë një mjedis të sigurt dhe mbështetës për veprimtarinë e tyre. Unë shpresoj që diskutimet e sotme të kontribuojnë në forcimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe në promovimin e një kulture që respekton dhe vlerëson punën e mbrojtësve të të drejtave të njeriut”, tha ai.
Në forum u adresua edhe Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe Shefi i UNMIK-ut, Peter N. Due, i cili vuri theksin te rëndësia e mbrojtjes së hapësirës qytetare dhe mbështetjes institucionale për mbrojtësit e të drejtave të njeriut.
“UNMIK-u mbetet i përkushtuar për të mbështetur paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e besimit ndërmjet të gjitha komuniteteve. Një shtyllë qendrore e mandatit tonë është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut. Kjo është thelbësore për ndërtimin e besimit, forcimin e institucioneve dhe nxitjen e një qeverisjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Në këtë kontekst, mbrojtësit e të drejtave të njeriut luajnë, natyrisht, një rol kyç. Përmes avokimit, monitorimit dhe angazhimit tuaj, ju ndihmoni në sigurimin e llogaridhënies, fuqizoni zërat e grupeve në situata të cenueshme dhe të margjinalizuara, si dhe kontribuoni në një qeverisje më transparente dhe më të përgjegjshme. Megjithatë, në mbarë rajonin dhe në nivel global, duhet të shtoj se mbrojtësit e të drejtave të njeriut veprojnë në një mjedis gjithnjë e më kompleks. Edhe pse është arritur përparim i rëndësishëm, sfida të konsiderueshme vazhdojnë të ekzistojnë, përfshirë kërcënimet, frikësimin, stigmatizimin dhe, herë pas here, ngushtimin e hapësirës qytetare. Kjo mund të kufizojë aftësinë tuaj për ta kryer punën në mënyrë efektive. Në këtë kontekst, diskutimi i sotëm duhet të na ndihmojë të reflektojmë së bashku mbi këto sfida dhe të avancojmë përgjigje praktike e të koordinuara, përfshirë përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira“, u shpreh ai.
Duke folur për rëndësinë e kornizës ndërkombëtare për mbrojtjen e aktivistëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut, Due nënvizoi nevojën për integrimin e këtyre standardeve në politikat publike dhe legjislacionin vendor.
“Deklarata e Kombeve të Bashkuara për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut mbetet një gur themeli i standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ajo afirmon jo vetëm legjitimitetin e punës së mbrojtësve të të drejtave të njeriut, por edhe të drejtën e çdo individi për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut, si dhe përgjegjësinë e institucioneve për të garantuar mbrojtjen e tyre. Forcimi i njohjes së këtyre parimeve, si në legjislacion ashtu edhe në praktikë, është thelbësor për krijimin e një mjedisi mundësues ku mbrojtësit e të drejtave të njeriut mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të sigurt. Forumi i sotëm zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Kosovën, pasi Qeveria është duke hartuar programin e ri për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut për periudhën 2026–2031. Ky proces paraqet një mundësi të vlefshme për të integruar në mënyrë më sistematike mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut në kornizat e politikave vendore, përfshirë përmes masave konkrete mbrojtëse, koordinimit të shtuar ndërinstitucional dhe mekanizmave të llogaridhënies. Po aq e rëndësishme është që këto përpjekje të çohen përpara në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke siguruar edhe mbrojtjen dhe pjesëmarrjen e komuniteteve joshumicë. Këto perspektiva janë thelbësore për përpjekje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në fushën e të drejtave të njeriut. UNMIK-u është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë dialogun gjithëpërfshirës dhe angazhimin konstruktiv ndërmjet mbrojtësve të të drejtave të njeriut, institucioneve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë për të avancuar këto objektiva”, tha ai.


