Këngëtari Billy Ray Cyrus ka zbuluar se gjatë vitit 2024 kaloi një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, pasi u përball me një rast të rëndë sepsa që, sipas tij, rrezikoi seriozisht jetën.
Në një intervistë për revistën People, artisti 64-vjeçar tregoi se gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua aq shumë sa mendoi se nuk do t’ia dilte.
“U sëmura shumë rëndë dhe pothuajse vdiqa. Trupi im po mbushej me toksina. Nëse gjendja do të ishte përkeqësuar edhe pak, do të kisha humbur jetën,” u shpreh ai.
Cyrus rrëfeu se gjatë asaj periudhe kalonte shumë kohë pranë një shkëmbi ku lutej vazhdimisht, duke kërkuar një mrekulli.
“I lutesha Zotit çdo ditë. Kur shkova për operacionin e fundit, mjekët më thanë se problemi ishte zhdukur dhe se isha shëruar. Për mua ishte një mrekulli,” tha këngëtari.
Sipas tij, sepsa i shkaktoi edhe paralizë të kordave vokale, duke e lënë për një periudhë pa mundur të fliste apo të këndonte.
Në rrëfimin e tij, Billy Ray Cyrus vlerësoi veçanërisht vajzën e tij, Noah Cyrus, duke thënë se kënga e saj “Don’t Put It All On Me”, e shkruar nga djali i tij Braison Cyrus, luajti një rol të rëndësishëm në rikuperimin e tij emocional.
“E dëgjoja gjatë gjithë ditës. Më sillte paqe dhe sinqerisht besoj se ajo këngë më shpëtoi,” tha ai.