Haxhiu: 12 Qershori shënoi lindjen e Kosovës së lirë

Prishtinë | 12 Qer 2026 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, në pritjen shtetërore të organizuar nga Qeveria në detyrë, ka përkujtuar 12 Qershorin e vitit 1999, ditë të cilën e cilësoi si moment historik të çlirimit dhe fillimit të një epoke të re për Kosovën, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se pas një periudhe të gjatë shtypjeje dhe krimesh të rënda gjatë luftës, intervenimi i NATO-s dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sollën tërheqjen përfundimtare të forcave serbe nga Kosova, duke hapur rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit.

“27 vjet më parë, më 12 qershor 1999, Kosova hyri në një epokë të re e të lirisë. Pas një periudhe të gjatë shtypjeje dhe pas krimeve që nuk i harron asnjë brez, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe intervenimi i NATO-s detyruan makinerinë e dhunës serbe të tërhiqej përgjithmonë nga vendi ynë. Atë ditë mori fund okupimi dhe nisi rruga e Kosovës së lirë, që ndërton vetë të ardhmen e saj me dinjitet. Kush e ka përjetuar atë qershor, e mban mend se si ndryshoi jeta në Kosovë. Kolonat e gjata që muaj më parë largoheshin nga vendi, tani po ktheheshin drejt shtëpive. Njerëzit dilnin në rrugë për të përqafuar njëri-tjetrin, për të kërkuar të afërmit dhe për të nisur jetën nga e para, mes shtëpive të djegura, por me kokën lart e me dinjitet”.

Në fjalimin e saj, Haxhiu vuri theks të veçantë mbi sakrificat e luftës, duke përmendur luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjet e dëshmorëve dhe figurat historike të rezistencës, përfshirë komandantin legjendar Adem Jashari dhe veprimtarin Adem Demaçi.

“Ishte gëzimi më i madh i një populli, i përzier me dhimbjen më të thellë. Ajo dhimbje nuk i përkiste vetëm një familjeje apo vetëm një brezi; ajo ishte e të gjithëve sepse liria u fitua me gjakun e dëshmorëve dhe të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me sakrificën e familjeve që dhanë gjithçka, me sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, me vuajtjen e atyre që mbijetuan dhe me qëndresën e një populli të tërë që nuk u përkul as në ditët më të rënda e më të vështira. Dhe kjo rrugë nuk nisi në vitin 1998. Ajo kaloi nëpër ilegalen që e mbajti gjallë idealin e lirisë kur duhej paguar me burg e me jetë, nëpër rezistencën e Adem Demaçit, të cilin 28 vjet qëndrim në burg nuk e thyen dot, nëpër demonstratat e vitit 1981 që nisën nga studentët dhe u bënë zëri i një populli të tërë, dhe nëpër lëvizjen paqësore të viteve të 90-ta me presidentin Ibrahim Rugova. Para të gjithë atyre përulemi sot me nderim të thellë”, tha Haxhiu.

Në të njëjtën frymë përkujtimore, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vlerësuar 12 Qershorin si një datë të gdhendur në memorien historike të kombit shqiptar, duke theksuar se liria e Kosovës u fitua përmes sakrificës së mijëra burrave dhe grave, rezistencës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe mbështetjes së aleatëve strategjikë perëndimorë.

“12 Qershori është një datë e gdhendur përjetësisht në memorien historike të kombit tonë. Kjo është dita kur triumfoi liria mbi aparteidin, shpresë mbi frikën dhe e drejta mbi padrejtësinë gjenocidale. Liria e Kosovës erdhi si produkt i sakrificës sublime të mijëra burrave dhe grave, i luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i vendosmërisë së aleatëve tanë strategjikë: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, aleatëve e partnerëve tanë, të cilët u rreshtuan në anën e duhur të historisë”, tha Begaj.

Ai ka përkujtuar gjithashtu figurat historike të rezistencës dhe ka theksuar se sakrifica e të rënëve dhe e familjeve të tyre mbetet themel i lirisë së fituar, ndërsa vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe çështjes së ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin në Hagë, të cilin e ka cilësuar si një barrë të rëndë historike për ta dhe për kujtesën e luftës çlirimtare.

“Nderojmë sot kryetrimin dhe kryekomandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin dhe familjen Jashari, të cilët janë vetë altari i lirisë. Kujtojmë sot dhe nderojmë rezistencën e atyre dhe mbarë… Në këtë ditë feste dhe reflektimi, mendja dhe zemra është edhe në Hagë. Aty ku krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përballen me një tjetër betejë, në një proces që rëndon si një padrejtësi e madhe historike. Ata që udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po paguajnë një çmim të për të mbrojtur dinjitetin e një lufte që ishte e pastër, e drejtë dhe çlirimtare”, tha Begaj.

Të ngjashme