Kryetarja Haxhiu ngushëllon familjen Jashari për ndarjen nga jeta të Sahit Jasharit

Prishtinë | 13 Qer 2026 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ngushëlluar familjen Jashari për vdekjen e Sahit Jasharit, njërit prej figurave të para të organizimit çlirimtar në Kosovë.

Në këto çaste të rënda për familjen, kryetarja Haxhiu i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari.

“Sahit Jashari i përkiste brezit të njerëzve që në ditët më të vështira të Kosovës iu përgjigjën thirrjes së lirisë me guxim, përkushtim dhe sakrificë. Si bashkëluftëtar i hershëm dhe një prej figurave të para të organizimit çlirimtar, ai mbeti i lidhur përjetësisht me Prekazin, me Drenicën dhe me historinë e qëndresës sonë kombëtare”, thuhet në telegramin e kryetares Haxhiu.

Ajo më tej ka thënë se jeta e tij ishte e lidhur me idealin e lirisë dhe me rrugën e gjatë të Kosovës drejt çlirimit.

“Në kujtesën e familjes, të bashkëluftëtarëve dhe të qytetarëve që e njohën, Sahit Jashari do të mbetet njeri i qëndresës, i besës dhe i përkushtimit ndaj atdheut”, ka theksuar kryetarja Haxhiu.

Kryetarja e Kuvendit ka thënë se në këto ditë dhimbjeje, bashkëndjen me familjen Jashari, me të afërmit, bashkëluftëtarët e miqtë e tij për këtë humbje.

Të ngjashme