Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka zhvilluar vizita dhe takime në disa institucione të sistemit të drejtësisë në Mitrovicë, duke thënë se forcimi i këtyre strukturave është i domosdoshëm për funksionimin e shtetit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gërvalla ka bërë të ditur se ka vizituar Shërbimi Sprovues i Kosovës, Zyrën Rajonale për Ndihmë Juridike Falas dhe Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.
“Drejtësi që vepron, shtet që forcohet. Në Mitrovicë zhvilluam vizita e takime edhe në Shërbimin Sprovues të Kosovës, në Zyrën Rajonale për Ndihmë Juridike Falas dhe në Qendrën e Paraburgimit, tre hallka të ndryshme të të njëjtit sistem që e mbajnë drejtësinë funksionale në praktikë, e jo në letër”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka theksuar se takimet me stafin e këtyre institucioneve kanë nxjerrë në pah punën e vazhdueshme dhe përgjegjësitë me të cilat përballen punonjësit e sistemit të drejtësisë.
“Bashkëbisedimi me stafin e këtyre institucioneve zbulon një realitet që shpesh nuk shihet nga jashtë, punë e vazhdueshme në kushte jo gjithmonë të lehta, përgjegjësi të larta dhe një ngarkesë që kërkon disiplinë institucionale dhe njerëzore njëkohësisht”, është shprehur ajo.
Sipas Gërvallës, nga ndihma juridike për qytetarët deri te menaxhimi i rasteve dhe ekzekutimi i masave të paraburgimit, secila hallkë ka rol të rëndësishëm në funksionimin e drejtësisë.
“Nga mbështetja juridike për qytetarët, te menaxhimi i rasteve në faza të ndryshme të procedurës, e deri te ekzekutimi i masave të paraburgimit, dëshmohet qartë se drejtësia nuk është një proces abstrakt, por një zinxhir që varet nga secila hallkë”, ka deklaruar ministrja në detyrë.
Ajo ka thënë se besimi i qytetarëve në institucione ndërtohet përmes mënyrës se si ata trajtohen gjatë kontaktit me sistemin e drejtësisë.
“Nëse një shtet matet diku, matet pikërisht këtu: jo në retorikë, por në mënyrën si trajtohet qytetari kur hyn në kontakt me sistemin. Çdo vonesë, çdo mangësi, çdo sukses apo çdo punë e mirë në këto pika kthehet drejtpërdrejt në besim ose mosbesim ndaj institucioneve”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka theksuar se përmirësimi i këtyre institucioneve është pjesë e një angazhimi politik dhe shtetformues.
“Forcimi i këtyre strukturave nuk është çështje teknike, por zgjedhje politike dhe shtetformuese. Drejtësia do të forcohet aty ku matet më së shumti, çdo ditë e fuqishëm, pa kompromis dhe me vendosmëri të plotë në zbatim”, ka shtuar Gërvalla.