Arrestohet në Sarandë i shumëkërkuari me rrezikshmëri të lartë, dërgohet në vuajtje të dënimit

Prishtinë | 21 Qer 2026 | 11:16 | Nga Ekonomia Online

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se ka arritur që ta arrestojë një person të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Sipas forcave të rendit, operacioni është zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

“Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe përdorimin e metodave speciale të hetimit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fast”, u bë i mundur lokalizimi në qendër të Ksamilit, në një automjet tip “Audi”, kapja dhe arrestimi i shtetasit E. K. (Ç.), 34 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë në qytetin e Elbasanit.”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se në momentin e ndërhyrjes, ky shtetas ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila e ka dënuar me 4 vjet burgim për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ndërsa atij i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet, 9 muaj dhe 9 ditë burgim.”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme