Rama për protestat: Verifikoni faktet, mos u bëni peng i iluzioneve

Prishtinë | 21 Qer 2026 | 14:01 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një reagim ndaj protestave që lidhen me projektet e zhvillimit në zonën e Nartës dhe Zvërnecit, ka deklaruar se mbrojtja e natyrës nuk duhet të mbështetet mbi emocione, gjysmë të vërteta apo narrativa të krijuara nga algoritmet e rrjeteve sociale.

Në podkastin e sotëm të “Flasim”, ku ka folur për protestat, Rama ka thënë se “flamingot nuk kanë nevojë për turma të rrëmbyera nga histeria e algoritmit”, duke argumentuar se një pjesë e protestuesve po përfshihen në një betejë që, sipas tij, nuk lidhet realisht me interesat e Shqipërisë apo mbrojtjen e mjedisit.

Sipas kreut të qeverisë, shumë qytetarë dalin në protesta me bindje të sinqerta se po mbrojnë natyrën, biodiversitetin dhe pasuritë kombëtare, por vlerësoi se shpesh këto reagime ushqehen nga informacione të pjesshme dhe interpretime të gabuara të fakteve.

“Kur emocioni ushqehet nga gjysmë të vërteta, nga pamje të shkëputura nga konteksti dhe nga sloganet që qarkullojnë më shpejt se provat, idealizmi i sinqertë mund të kthehet në instrument në duart e atyre që kanë interesa krejt të tjera”, ka thënë Rama.

Për të ilustruar argumentin e tij, kryeministri iu referua personazhit Fabrice del Dongo nga romani “Kartuzha e Parmës” i shkrimtarit francez Stendhal. Ai e krahasoi situatën me zhgënjimin e të riut që niset drejt betejës së Waterloosë i frymëzuar nga idealet heroike, por përballet me realitetin brutal të luftës.

Sipas Ramës, ky rrëfim shërben si mësim për rrezikun e ndërtimit të idealeve mbi iluzione dhe jo mbi fakte. 

Ai paralajmëroi se në epokën e rrjeteve sociale dhe algoritmeve, njerëzit mund të bien lehtësisht pre e narrativave të rreme që synojnë të tërheqin vëmendje dhe jo të pasqyrojnë të vërtetën.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se qeveria e tij ka pasur në fokus mbrojtjen e natyrës, zonave të mbrojtura, ndalimin e gjuetisë së paligjshme dhe prerjes së pyjeve, duke kundërshtuar pretendimet se projektet në zonën e Nartës përbëjnë kërcënim për mjedisin.

Ai shtoi se debati duhet të përqendrohet te faktet dhe te përmirësimi i projekteve që janë ende në fazë zhvillimi, jo te kundërshtimi i tyre para se të finalizohen.

“Edhe thjesht, thirrja ime është që, me respekt për motivin, nuk duhet përjashtuar detyrimi për të verifikuar faktet. Sepse kur emocioni ushqehet nga gjysmë të vërteta, nga pamje të shkëputura nga konteksti, nga sloganet që qarkullojnë më shpejt se provat, nga një algoritëm që shpërblen gjithmonë atë që trondit, jo atë që shpjegon, atëherë idealizmi, dëshira e sinqertë, nevoja për t’u shprehur në një komunitet, kthehet në instrument, në instrument në duart e atyre që kanë interesa krejt të tjera… Ne jemi këtu për të bërë më të mirën për Shqipërinë, për natyrën, për Zvërnecin dhe për flamingot, por duke bashkëpunuar me realitetin dhe jo jashtë tij”, ka deklaruar Rama.

Të ngjashme