Përplasjet në LDK, Abdixhiku: Për rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet e tyre morale

Prishtinë | 23 Qer 2026 | 20:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj kërkesave për dorëheqjen e tij, të bëra publikisht nga kryetarët e degëve të LDK-së në Pejë dhe Lipjan.

Përmes një postimi, Abdixhiku tha se i falënderon për sugjerimet e tyre, por vlerësoi se do të kishte qenë më korrekte që kërkesat të parashtroheshin drejtpërdrejt dhe jo përmes mediave.

Ai pranoi se rezultatet zgjedhore në Pejë dhe Lipjan nuk kanë qenë të kënaqshme, por theksoi se fakti që LDK-ja ka dalë e treta në komuna ku ushtron pushtetin lokal tregon, sipas tij, për “një sabotim të thellë” dhe për ekzistencën e një projekti që nuk i shërben interesave të partisë.

Abdixhiku rikujtoi se çështjen e dorëheqjes së tij e kishte trajtuar në Kuvendin e LDK-së më 31 janar, duke shtuar se anëtarësia kishte folur qartë për këtë temë. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi dorëheqje morale nga dy kryetarët e degëve në fjalë, duke i konsideruar përgjegjës për performancën e dobët dhe rezultatin më të ulët të këtyre degëve ndër vite.

Të ngjashme