Mehani: Jam sulmuar që 42 ditë, nuk e di as kush është prokuror i rastit, e as nga kush jam sulmuar

Prishtinë | 24 Qer 2026 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i degës së Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani ka thënë se sot po bëhen 42 ditë nga dita kur është sulmuar.

Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Mehani ka shkruar se edhe pas këtyre ditëve nuk e din se kush është prokuror apo prokurore e rastit, duke shtuar se nuk e din se kush janë as personat që e kanë sulmuar.

“As tash kur po e shkruaj këtë postim, nuk e di kush janë personat që më kanë sulmuar. E di që njëri nga ta dhe iniciusi i sulmit ishte Sami Lushtaku dhe më vonë kam kuptuar që njëri nga sulmusit tjerë më herët paska qenë i dënuar për vrasje”, ka shkruar ai.

Të dashur miq,

Sot bëhen 42 ditë nga dita që jam sulmuar. As tash kur po e shkruaj këtë postim nuk e di kush është prokuror a prokurore e rastit! Përveç ditës kur ka ndodhur rasti që kam dhënë një deklaratë te disa policë dhe një thirrje telefonike pas disa ditëve për të dorëzuar raportin e mjekut dhe atë nëse dua; asgjë tjetër!

As tash kur po e shkruaj këtë postim, nuk e di kush janë personat që më kanë sulmuar. E di që njëri nga ta dhe iniciusi i sulmit ishte Sami Lushtaku dhe më vonë kam kuptuar që njëri nga sulmusit tjerë më herët paska qenë i dënuar për vrasje.

Imagjinojeni, një ish i dënuar për vrasje del dhe e sulmon një qytetar, kryen tentim-vrasjen e një qytetari që qëllon të jetë zv-ministër, e sulmon në pikë të ditës dhe atë pa asnjë arsye, dhe prokurori a prokurorja e rastit e liron në procedurë të rregullt dhe deri më sot nuk di për ndonjë masë të marrë.

Të dashur miq, kam qenë i bombarduar me mendime nga më të ndryshmet; veç një përgjigje e kam për të gjitha ato mendime!

Çdo pikë gjaku, djerse e mundi e derdhur për drejtësi, për liri e për mundësi të barabartë për të gjithë nuk është turp e as nuk duhet të na turpërojë, përkundrazi duhet të na shtojë krenarinë.

Turp është të jetosh si puthadorë, si servil e i nënshtruar nga ata që për shoqërues zgjedhin vrasës. 

Atë që më njohin e dinë që unë kurrë nuk kam zgjedhur rrugët e lehta, ashtu siç kurrë nuk kam pasur frikë nga rrugët e vështira, qoftë edhe me koston e jetës, kosto që e kam pasur parasysh shumë kohë para se të ndodhte sulmi.

Prokuror a prokurore, kjo është çështja që po pres ta di!

Të ngjashme