3 milionë euro për të subvencionuar policat e mërgimtarëve me rroga të Zvicrës – kjo nuk duhet të jetë zgjidhje e përhershme. Ndani këto para për ndonjë punë më të dobishme për Kosovën!
Qeveria e Kosovës paska vendosur të ndajë 3 milionë euro për të subvencionuar policën kufitare, siç thuhet, «për mërgatën tonë që vjen me vetura në vizitë përgjatë kësaj periudhe», pra gjatë verës.
Vendimi i parë për të mbuluar shpenzimet e policës u mor që në vitin 2020, kur VV bashkëqeveriste me LDK-në (formalisht vendimin e pati nënshkruar ministrja e Financave që vinte nga LDK-ja). U tha atëbotë se bëhej fjalë për një «zgjidhje të përkohshme» derisa të gjendej zgjidhja e përhershme, pra anëtarësimi i Kosovës në sistemin europian të Kartonit të Gjelbër.
Zyrtarë të Kosovës kanë përmendur dy arsye pse Kosova nuk po pranohet në këtë sistem: a) Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe b) numri i madh i veturave të pasiguruara.
Para se të vinte në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje premtoi se do të angazhohej për ta zgjidhur këtë problem. Nuk e zgjidhi, madje atë «zgjidhjen e përkohshme» (subvencionimin) duket se e ka bërë zgjidhje të përhershme. Ndan para çdo vit për të subvencionuar policën e sigurimit.
Kjo praktikë duhet të marrë fund. Në të kaluarën polica e sigurimit ka kushtuar mbi 40 euro për një muaj. Ndërkohë është zbritur në 20.
Për dy javë kushton vetëm 15 euro. Kjo shumë është e përballueshme për çdo mërgimtar, sidomos kur merret parasysh se mërgimtarët udhëtojnë gratis me vetura nëpër autostradat e Kosovës.
Në Zvicër vinjeta vjetore për autostradë kushton 40 franga. Nëse një mërgimtar niset nga Zürichu për në Kosovë, ai duhet të paguajë gati 10 euro për vinjetën e Austrisë, 15 euro për tunelin Tauern, 9 euro për tunelin Karavanke (në kufi me Slloveninë). Nuk mbaron me kaq.
Vetëm për të kaluar nëpër Slloveni vinjeta kushton 16 euro. Rreth 20 euro duhet t’i paguhen shtetit kroat për të kaluar në autostradën e tij nga kufiri me Slloveninë deri në kufi me Serbinë.
Minimum 15 euro paguan kush kalon me veturë nëpër Serbi. (Pak a shumë këto janë çmimet, mund të ketë ndonjë ndryshim minimal). Total rreth 90 euro vetëm për tarifa rrugore nga Zürichu deri në kufi me Kosovën.
Kosova është ndër vendet më të varfra në Europë. Rroga mesatare është vetëm 639 euro (të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga qershori 2025). Rroga mesatare në Zvicër është rreth 7400 euro. Dallimi mes buxheteve të dy vendeve më mirë të mos përmendet fare këtu.
Qeveria duhet t’ia shpjegojë opinionit pse nuk po arrihet zgjidhja për Kartonin e Gjelbër. Këtë duhet ta bëjë duke komunikuar me opinionin. Me gjuhë të thjeshtë, me argumente bindëse. Vetëm kështu sigurohet edhe mirëkuptimi i njerëzve. Moskomunikimi është ofendim i opinionit.
Një ndër pyetjet, të cilave duhet t’u përgjigjet urgjentisht qeveria, është edhe kjo: a vazhdon të jetë arsye për mospranimin e Kosovës në sistemin e Kartonit të Gjelbër numri i madh i veturave të pasiguruara në Kosovë?
Nëse po, atëherë pse nuk rregullohet kjo punë? Nëse jo, cilat janë arsyet e tjera për këtë bllokadë? A ka deputetë të partisë në pushtet që merren me këtë çështje apo të gjithë e kanë kufizuar punën e tyre me kopalla nëpër Facebook dhe me futje pykash?
3 milionë euro për të subvencionuar policat e mërgimtarëve me rroga të Zvicrës – kjo nuk duhet të jetë zgjidhje e përhershme. Mendoj se shumë mërgimtarë do të pajtoheshin nëse këto 3 milionë euro do të ndaheshin për bursa studentësh nga Kosova që studiojnë shkencat teknike në ndonjë universitet europerëndimor apo amerikan.
Kjo vetëm një ide. Me siguri ka edhe ide të tjera më të mira. Për shembull kjo shumë mund të investohet në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në mënyrë që më pak pacientë të shkojnë për trajtim në Stamboll apo në Shkup.
Qeveria duhet të ketë më shumë menaxherë që kryejnë punë dhe më pak llafazanë. Më së miri do të ishte: të mos ketë fare llafazanë.