Arrestohet i dyshuari për vrasjen e imamit në Zlipotok të Dragashit

Prishtinë | 30 Qer 2026 | 11:03 | Nga Ekonomia Online

Pas veprimeve intensive operativo-hetimore të Policisë së Kosovës, është arrestuar i dyshuari kryesor për vrasjen e ndodhur në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit, ku humbi jetën imami i fshatit, Gazmend Zahirovci, 46 vjeç.

Policia ka bërë të ditur se operacioni për lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit është zhvilluar me angazhim të njësive të ndryshme policore, përfshirë edhe përdorimin e dronëve për vëzhgim nga ajri, si dhe njësinë K-9 me qen gjurmues. Pas disa orësh kërkimesh, i dyshuari është lokalizuar dhe është vënë në pranga.

I arrestuari është shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tij po zhvillohen procedurat e mëtejme hetimore, në koordinim me prokurorin kompetent.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 23:00, kur një përleshje mes disa personave ka eskaluar me pasoja fatale. Viktima fillimisht është dërguar për trajtim mjekësor në QKMF-në e Dragashit, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë.

Hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes janë ende në fazë fillestare dhe pritet të sqarohen nga organet e drejtësisë.

Të ngjashme