Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar ndaj mbylljes së qumështores VITA, duke e cilësuar këtë veprim si një goditje të rëndë ndaj prodhimit vendor, fermerëve dhe ekonomisë së Kosovës.
Përmes një reagimi në Facebook, Gjini tha se u vërtetua edhe njëherë se pushteti e sheh prodhuesin vendor si armik, ndërsa theksoi se mbyllja e qumështores më të madhe në vend ka lënë qindra punëtorë pa punë dhe mijëra fermerë kosovarë në pasiguri.
Ai e cilësoi si absurde dhe të dhimbshme largimin e një prodhuesi vendor nga raftet e marketeve, duke theksuar se një veprim i tillë krijon hapësirë për produktet me origjinë nga Serbia.
Gjini kritikoi edhe arsyetimin e institucioneve për kontrollin e cilësisë, duke theksuar se kontrolli i ushqimit duhet të jetë i vazhdueshëm dhe jo të përdoret, sipas tij, pas gjashtë vitesh për qëllime politike.
“Kjo mendësi rrënuese po e ngulfat ekonominë tonë. Kur shteti sillet si shkatërrues ndaj prodhuesve të vet, pasojat i vuan tryeza e çdo qytetari”, u shpreh ai.
Në fund, Gjini kërkoi që institucionet ta sqarojnë menjëherë këtë rast dhe të gjejnë zgjidhje që puna në qumështoren VITA të rifillojë sa më parë, duke shprehur mbështetje të plotë për të gjitha familjet e prekura.