Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi ka shprehur mirënjohje publike për Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, duke vlerësuar angazhimin e komandantit dhe të pjesëtarëve të policisë për mbështetjen dhe garantimin e sigurisë gjatë aktiviteteve të organizuara ndër vite.
Në një postim në rrjetet sociale, Rexhepi falënderoi në mënyrë të veçantë komandantin e Stacionit Policor Jugu, kapitenin Bashkim Bytyqi, për mbështetjen e vazhdueshme.
“Shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për Komandantin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, Kapiten Bashkim Bytyqi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që i ka dhënë aktiviteteve tona ndër vite, gjithmonë me gatishmëri, përkushtim dhe profesionalizëm”, ka shkruar Rexhepi.
Ai u shprehu falënderim edhe të gjithë zyrtarëve policorë të këtij stacioni, duke theksuar profesionalizmin dhe angazhimin e tyre në kryerjen e detyrës.
“Një falënderim të veçantë nga zemra ua shpreh të gjithë pjesëtarëve të Stacionit Policor Jugu, të cilët ishin në detyrë dhe e kryen misionin e tyre me dinjitet, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë. Ishte një ndjenjë krenarie t’ju shihnim duke nderuar me respekt Flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke garantuar sigurinë e aktivitetit dhe duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin tuaj ndaj rendit, ligjit dhe vlerave demokratike që na bashkojnë”, thuhet në postim.
Rexhepi theksoi se puna dhe korrektësia e Policisë së Kosovës janë shembull i shërbimit ndaj qytetarëve.
“Puna, korrektësia dhe përkushtimi juaj janë shembull i institucioneve që i shërbejnë qytetarëve me përgjegjësi dhe dinjitet. Faleminderit për gjithçka që bëni çdo ditë në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës. Zoti ju bekoftë ju dhe Policinë e Kosovës!”, ka shtuar ai.