Familjarët e 17-vjeçares që u dhunua nga tre bashkëmoshatare brenda një banese në Fier kërkojnë drejtësi dhe ngrenë akuza për neglizhencë nga institucionet përgjegjëse.
Sipas tyre, megjithëse ngjarja u denoncua menjëherë në polici, për më shumë se një muaj nuk pati asnjë reagim konkret, duke rënduar gjendjen emocionale të vajzës dhe familjes së saj.
E mitura u paraqit fillimisht në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit me hematoma dhe shenja të dukshme dhune në trup. Megjithatë, sipas familjarëve, nga spitali nuk u njoftuan organet ligjzbatuese për rastin.
“Më merr burri në telefon dhe më thotë: ‘Goca është në spital.’ E pyeta pse ishte në spital, por ai më tha se nuk e dinte. Më vonë shkova ta merrja. Kur e pashë, kishte buzën e çarë dhe pas veshëve i kishte të zinj. E pyeta: ‘Ku je bërë kështu?’ Ajo më tha se kishte shkuar në spital, i kishin bërë mjekimin dhe më pas kishte dalë.”
Pas denoncimit në Policinë e Fierit, 17-vjeçarja u mor në pyetje në prani të një psikologe, ndërsa efektivët dokumentuan edhe shenjat e dhunës në trupin e saj. Familjarët thonë se iu premtua se çështja do të ndiqej menjëherë, por, sipas tyre, ditët kaluan pa asnjë informacion zyrtar.
“Vemi bashkë në polici. Ka qenë data 8 qershor. Bëmë denoncimin. Qëndruam aty rreth tre orë. Vajza foli edhe me psikologen, i morën deklarimet dhe i bënë filmime. Ajo tha: ‘Mua më ka dhunuar.’ Policia i filmoi edhe shenjat në trup, përfshirë shpinën. Në fund na thanë: ‘Shkoni në shtëpi, sepse çështja do të zgjidhet nesër.’ “Kaloi një ditë, kaluan dy ditë, por Policia e Shtetit nuk na lajmëroi për asgjë. Prisja që të na kontaktonin si prindër, por nuk morëm asnjë njoftim, absolutisht asnjë lajm.”
Sipas nënës, edhe pse vajza deklaroi se dhuna ishte filmuar nga vetë autorët, për javë të tëra nuk u mor asnjë masë për sekuestrimin e telefonave celularë, me qëllim sigurimin e provave dhe parandalimin e publikimit të videos në rrjetet sociale.
“Shkova në Policinë e Fierit dhe kërkova oficerin ku kisha bërë denoncimin, por më thanë se nuk ishte aty. Më thanë vetëm se provat ishin dërguar në Prokurorinë e Fierit. Kërkova të dija kush ishte prokurori që kishte marrë çështjen e vajzës sime, por më thanë se nuk e dinin. U ktheva disa herë në polici për të pyetur se çfarë ishte bërë me videon dhe me denoncimin, por nuk mora asnjë përgjigje. Ka kaluar gati një muaj nga denoncimi dhe unë nuk kam marrë asnjë zgjidhje.”
Familjarët pretendojnë se për rreth një muaj e gjysmë nuk u kontaktuan nga policia, prokuroria apo shërbimet sociale dhe se mbështetja institucionale mungoi plotësisht.
“Për gati një muaj e gjysmë nuk na kontaktoi askush. As policia, as prokuroria. Edhe shërbimet sociale erdhën vetëm në fund. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk morëm asnjë lloj ndihme apo komunikimi nga institucionet.”
Nëna e 17-vjeçares thotë se reagimi i institucioneve erdhi vetëm pasi rasti u bë publik në media. Edhe sot, nga frika dhe pasiguria, vajza është strehuar te të afërmit, ndërsa familja kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve, por edhe të institucioneve që, sipas tyre, nuk vepruan në kohë.
“Sot kërkoj që drejtësia për vajzën time të vihet në vend. Sot ndodhi me vajzën time, nesër mund t’i ndodhë një fëmije tjetër. Po sikur vajza ime të kishte vdekur nga dhuna që iu ushtrua? Unë do të vazhdoj të kërkoj drejtësi deri në fund, derisa të zbardhet e vërteta për vajzën time. Vajza ime nuk është kriminele; ajo po shkonte të ndiqte një kurs, jo të dhunohej nga tre vajza.”/TCh/