Sindikatat e RTK-së: Bordi të mos lejojë që procesi i zgjedhjes së drejtorit të ndikohet nga interesa politike

Prishtinë | 13 Kor 2026 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) dhe Federata Sindikale e RTK-së i kanë bërë thirrje Bordit të Radio Televizionit të Kosovës që në procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të zgjedhë kandidatin më kompetent, me integritet profesional e moral, përvojë të dëshmuar në menaxhim dhe vizion për zhvillimin e Mediumit Publik.

Sindikatat theksojnë se nuk mbështesin asnjë kandidat të veçantë dhe se nuk janë të interesuara për përkatësi politike apo interesa të tjera, por kërkojnë që vendimi të bazohet në meritë, profesionalizëm dhe interesin e institucionit.

Sipas tyre, përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm nuk duhet të jetë vetëm përmbushje e një procedure ligjore, pasi bëhet fjalë për një vendim që do të përcaktojë të ardhmen e RTK-së dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në stabilitetin institucional, financiar dhe profesional të saj.

Sindikatat rikujtojnë se punëtorët e RTK-së kanë kaluar një nga periudhat më të vështira në historinë e institucionit, duke u përballur me vonesa në ekzekutimin e pagave, pasiguri financiare, mungesë planifikimi dhe kriza të njëpasnjëshme, të cilat, sipas tyre, kanë cenuar dinjitetin e punëtorëve dhe kanë dëmtuar funksionimin normal të Mediumit Publik.

Në reagim thuhet se sindikatat nuk do të pranojnë që këto dështime të relativizohen apo të përsëriten, duke theksuar se RTK-së i duhet një drejtues që di të menaxhojë, merr vendime të përgjegjshme, respekton ligjin, garanton stabilitet financiar dhe i trajton punëtorët si vlerën më të madhe të institucionit.

Sindikatat theksojnë se përgjegjësia për vendimin i takon ekskluzivisht Bordit të RTK-së dhe se çdo vendim që nuk bazohet në meritë, profesionalizëm dhe interesin e institucionit do të jetë përgjegjësi e Bordit, me pasoja për funksionimin e mëtejmë të RTK-së.

Po ashtu, ato presin që Bordi të dëshmojë pavarësi, integritet dhe përgjegjësi institucionale, duke mos lejuar ndikime nga interesa politike apo të tjera që, sipas tyre, nuk i shërbejnë Mediumit Publik.

Në fund, sindikatat theksojnë se do ta monitorojnë me kujdes këtë proces dhe do të mbrojnë me çdo mjet legjitim interesat e punëtorëve dhe të Mediumit Publik.

Njoftim i plotë:

Qëndrimi i sindikatave lidhur me procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së

I nderuar Kryetar i Bordit,
Të nderuar anëtarë të Bordit të RTK-së,

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së- SPERTK dhe Federata Sindikale e RTK-së janë duke e përcjellë me vëmendje konkursin për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës.

Në prag të këtij vendimi të rëndësishëm, e shohim të nevojshme të shprehim qëndrimin tonë dhe pritjet e punëtorëve të RTK-së.

Përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm nuk duhet të jetë thjesht përmbushje e një procedure ligjore. Ky është një vendim që do të përcaktojë të ardhmen e Mediumit Publik dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në stabilitetin institucional, financiar dhe profesional të RTK-së.

Punëtorët e RTK-së kanë përjetuar një nga periudhat më të vështira në historinë e institucionit. Vonesat në ekzekutimin e pagave, pasiguria financiare, mungesa e planifikimit dhe krizat e njëpasnjëshme kanë cenuar dinjitetin e punëtorëve dhe kanë dëmtuar rëndë funksionimin normal të Mediumit Publik. Askush nuk duhet ta nënvlerësojë faktin se punëtorët e RTK-së janë detyruar të shqetësohen nëse do ta marrin pagën që e kanë fituar me punën e tyre.

Sindikatat nuk do të pranojë që këto dështime të relativizohen apo të përsëriten. RTK-së i duhet një drejtues që di të menaxhojë, që merr vendime të përgjegjshme, që respekton ligjin, që garanton stabilitet financiar dhe që i trajton punëtorët si vlerën më të madhe të institucionit.

Ne nuk mbështesim asnjë kandidat të veçantë dhe nuk jemi të interesuar për përkatësi politike apo interesa të tjera. Kërkesa jonë është e qartë: të zgjidhet kandidati më kompetent, me integritet profesional dhe moral, me përvojë të dëshmuar në menaxhim dhe me vizion për zhvillimin e RTK-së.

Njëkohësisht, dëshirojmë ta bëjmë të qartë se përgjegjësia për këtë vendim i takon ekskluzivisht Bordit të RTK-së. Çdo vendim që nuk bazohet në meritë, profesionalizëm dhe interesin e institucionit do të jetë përgjegjësi e Bordit dhe do të bartë pasojat e tij për funksionimin e mëtejmë të RTK-së.

Sindikatat presin që Bordi të dëshmojë pavarësi, integritet dhe përgjegjësi institucionale, duke mos lejuar që ky proces të ndikohet nga interesa politike apo të tjera që nuk i shërbejnë Mediumit Publik. RTK-ja ka nevojë për një drejtues që rikthen besimin e punëtorëve, stabilizon institucionin dhe siguron që asnjë punëtor të mos përballet më me pasiguri për pagën e tij.

Ju rikujtojmë se vendimi që do të merrni nuk do të vlerësohet vetëm nga procedura e ndjekur, por edhe nga rezultatet që ai do të prodhojë për RTK-në. Punëtorët, opinioni publik dhe të gjithë ata që besojnë në misionin e Mediumit Publik do ta gjykojnë këtë vendim mbi bazën e aftësisë së drejtorit të ardhshëm për të garantuar stabilitet, profesionalizëm, transparencë dhe respekt për të drejtat e punëtorëve.

Sindikatat do të vazhdojnë ta monitorojë me kujdes këtë proces dhe do të mbrojë me çdo mjet legjitim interesat e punëtorëve dhe të Mediumit Publik.

Me respekt,

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së-SPERTK

dhe

Federata Sindikale e RTK-s

Të ngjashme