Edukimi i hershëm, ende i paarritshëm për shumë fëmijë të pakicave

Prishtinë | 13 Kor 2026 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Për shumë fëmijë romë, ashkalinj dhe egjiptianë në Kosovë, pabarazia në arsim nis para se të hyjnë në klasën e parë. Aktivistët dhe ekspertët thonë se mungesa e qasjes në edukimin e hershëm ua vështirëson fillimin e shkollimit dhe mund të ndikojë në gjithë rrugëtimin e tyre arsimor.

“Leximi do t’ju çojë gjithkund”, shkruan në murin e dhomës ku dhjetëra fëmijë të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian shkojnë çdo ditë.

Për një të ardhme më të ndritur e shumëngjyrëshe, si dhoma në të cilën luajnë, për ta është hapur një qendër që ua ofron shërbimet e arsimit parashkollor.

Me numëratorë, fleta për ngjyrosje dhe vizatim e lodra të ndryshme, ata e kalojnë çdo ditë përkrah edukatores së tyre, Xhejlane Haliti.

“Kam pasur nxënës që në fillim kanë qenë shumë të ndrojtur, kanë qëndruar në qoshe dhe nuk kanë folur me askënd. Por, gradualisht, janë liruar dhe kanë filluar të bëjnë shokë e shoqe”, tregon Haliti për Radion Evropa e Lirë.

Ajo ka katër muaj që i është bashkuar organizatës The Ideas Partnership (TIP) në Fushë Kosovë, që i ofron shërbimet e edukimit të hershëm falas për të gjithë prindërit e Lagjes 028, të banuar kryesisht me romë, ashkalinj e egjiptianë.

Vetëm për këta katër muaj, Haliti thotë se ka parë se si fëmijët e moshave nga 3 deri në 5 vjeç janë zhvilluar përmes lodrave: duke vizatuar, kanë mësuar edhe figura gjeometrike; duke ngjyrosur, kanë mësuar edhe numrat e shkronjat.

Në këtë lagje nuk ka ndonjë çerdhe tjetër, as publike e as private.

Për këtë arsye, TIP-i, më shumë se një dekadë më parë, kishte marrë përsipër që t’i ndihmonte prindërit e lagjes në edukimin e hershëm të fëmijëve të tyre.

“Në fillim, ne kemi shkuar te prindërit për t’i bindur që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre. Tash, vetëm përmes një lajmërimi se kur është koha e regjistrimit, ata vijnë vetë me dokumentet”, tregon për REL-in Arijeta Islami, koordinatore e qendrës.

Interesimi, thotë ajo, është rritur sepse prindërit e kanë parë rëndësinë e edukimit të hershëm. Më pak fëmijë të tyre po braktisin shkollimin e detyrueshëm dhe më shumë po tregohen të suksesshëm kur nisin klasën e parë.

Megjithatë, niveli i pjesëmarrjes së fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në edukimin e hershëm dhe parafillor mbetet i ulët.

Të dhënat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës tregojnë se, në të gjithë Kosovën, vetëm 350 fëmijë nga këto komunitete ndjekin arsimin parashkollor, ndërsa atë parafillor edhe më pak – gjithsej 26.

Në një përgjigje për REL-in, nga Ministria thonë se niveli i ulët i pjesëmarrjes lidhet kryesisht me “gjendjen socio-ekonomike të familjeve, si dhe me nivelin e ndërgjegjësimit për rëndësinë e edukimit në fëmijërinë e hershme”.

Megjithatë, për ta luftuar këtë fenomen, Ministria thotë se ka organizuar fushata informuese dhe ka nisur një program që rimburson institucionet, të cilat ofrojnë edukim dhe transport për fëmijët nga familjet që përfitojnë nga skemat e asistencës sociale.

Nga ky program, deri tani, kanë përfituar 55 fëmijë të këtyre komuniteteve.

Por, koordinatorja e The Ideas Partnership, Arijeta Islami, kërkon ndryshime më të mëdha.

Në çerdhet publike në Kosovë kanë përparësi regjistrimi fëmijët që kanë të dy prindërit e punësuar.

Meqë niveli i punësimit në familjet e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është i ulët, fëmijët e këtyre komuniteteve e kanë të vështirë të regjistrohen në çerdhe publike.

Ndërkohë, çerdhet private janë të papërballueshme për shkak të çmimit nga 150 deri në 300 euro në muaj.

Për këtë arsye, Islami kërkon që kriteret e pranimit në çerdhe publike të ndryshohen, në mënyra që t’u përshtaten nevojave të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian.

“Ne kemi kërkuar që t’i ndërrojnë kriteret dhe të ndërtojnë më shumë çerdhe publike, në mënyrë që t’ua mundësojnë edhe këtyre fëmijëve të jenë të barabartë me të tjerët”, thotë Islami, duke shtuar se kërkesa për regjistrim është më e madhe sesa kapaciteti i tyre prej 50-60 fëmijësh.

Të dhënat e fundit e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se vetëm tetë për qind e fëmijëve romë, ashkalinj e egjiptianë janë pjesë e arsimit parashkollor, ndërsa vetëm 45 për qind ndjekin arsimin parashkollor.

Dallimi me nivelin e përgjithshëm të pjesëmarrjes në vend është i ndjeshëm.

Këto statistika janë nga viti 2020, para se edukimi parashkollor të bëhej i detyrueshëm.

Anketa e njëjtë është përsëritur edhe në shtator të vitit të kaluar, por të dhënat nuk janë publikuar ende.

Eksperti i arsimit në organizatën Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë (VORAE), Bajram Ilazi, thotë se pikërisht mospjesëmarrja në edukim të hershëm, thellon pabarazitë arsimore për fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

“Kur një fëmijë nuk e ndjek arsimin parashkollor, ai humb një fazë shumë të rëndësishme të socializimit, zhvillimit të komunikimit dhe përgatitjes për shkollë”, thotë Ilazi për REL-in.

Por, pse është shkalla e regjistrimit e ulët, nëse arsimi i hershëm është kaq i rëndësishëm?

Përveç kushteve të vështira ekonomike, Ilazi thotë se këtyre komuniteteve ua vështirëson regjistrimin distanca e madhe nga shkollat e çerdhet dhe mungesa e fushatave të mjaftueshme nga institucionet arsimore.

Sipas tij, shkollat dhe drejtoritë komunale të arsimit duhet të kenë një rol më aktiv në identifikimin e fëmijëve që duhet të regjistrohen dhe në punën drejtpërdrejt me familjet.

Ai thekson se mungesa e edukimit parafillor nuk ndikon vetëm te përgatitja e fëmijës për shkollë, por mund të krijojë një cikël që përsëritet edhe te fëmijët e tjerë në familje.

Nëse prindërit nuk e shohin pasojën e mosndjekjes së klasës parafillore te fëmija i parë, thotë ai, shpesh veprojnë njësoj edhe me fëmijët e tjerë.

“Ky fëmijë ka humbur diçka shumë të rëndësishme në themelet e tij. Ndoshta me kalimin e kohës, mund ta kompensojë, por jo plotësisht si fëmijët e tjerë… Pasoja mund të jetë që edhe fëmijët e tjerë ta ndjekin të njëjtën rrugë”, përfundon Ilazi. /REL

Të ngjashme