Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) ka njoftuar se vetëm gjatë 1 korrikut 2026 janë shqiptuar 24 kundërvajtje ndaj mjeteve të rënda që kanë tejkaluar peshën e lejuar, me vlerë të përgjithshme prej 13,910 euro.
Sipas ministrisë, nga kjo shumë, 13,140 euro gjoba u janë shqiptuar operatorëve ekonomikë, ndërsa 770 euro personave fizikë.
Një ndër shkaqet kryesore të dëmtimit të infrastrukturës rrugore është qarkullimi i mjeteve të rënda të mbingarkuara, të cilat tejkalojnë kufijtë e lejuar të peshës, thotë ministria.
“Çdo vit investohen qindra miliona euro nga paratë e taksapaguesve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Prandaj, këto investime duhet të mbrohen dhe nuk mund të lejohet që të dëmtohen si pasojë e mosrespektimit të kufijve të lejuar të peshës. Gjatë sezonit veror, për shkak të temperaturave të larta, rreziku i dëmtimit të asfaltit rritet edhe më shumë. Për këtë arsye, kërkohet kujdes i shtuar dhe respektim i rreptë i kufizimeve nga të gjithë operatorët ekonomikë dhe drejtuesit e mjeteve të rënda. Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të jetë vazhdimisht në terren, duke zhvilluar kontrolle të rrepta për të parandaluar dëmtimin e infrastrukturës rrugore”, thuhet në njoftim.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit tha se do të jetë “rigoroze në zbatimin e ligjit dhe në mbrojtjen e infrastrukturës rrugore”.
“Kontrollet do të vazhdojnë dhe nuk do të ketë tolerancë ndaj atyre që, përmes mbingarkesës, rrezikojnë sigurinë në komunikacion dhe dëmtojnë rrugët tona. U bëjmë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve të rënda që t’i respektojnë kufijtë e lejuar të peshës dhe të kontribuojnë në ruajtjen e infrastrukturës që ndërtohet me paratë e qytetarëve”, thuhet në njoftim.