Policia arreston të kërkuarin nga INTERPOL-i dhe kryen dy ekstradime

Prishtinë | 14 Kor 2026 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, gjatë të cilit janë ekstraduar dy persona të dyshuar mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa në Prishtinë është arrestuar një shtetas turk i kërkuar nga INTERPOL-i për disa vepra penale.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, operacioni është realizuar më 14 korrik 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.

“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe në bashkëpunim me njësitë e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar ekstradimin e dy të dyshuarve, njërin nga Shqipëria për në Kosovë, ndërsa tjetrin nga Kosova për në Shqipëri”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, të dyshuarit ishin arrestuar pasi kërkoheshin përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Njëri prej tyre ishte i kërkuar për veprat penale “Blerje, posedim, shpërndarje e substancave narkotike dhe kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare”, ndërsa i dyshuari tjetër për përfshirje në veprën penale “Trafikim me narkotikë”.

“Të dy janë adresuar tek kompetentët për trajtim të mëtejmë sipas procedurave të parapara ligjore”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Ndërkohë, po më 14 korrik, në Prishtinë, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me Departamentin e Kufirit të Policisë së Kosovës, ka arrestuar një shtetas turk, i cili kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Malit të Zi dhe Turqisë.

Sipas njoftimit zyrtar, personi kërkohej për veprat penale “Mashtrim”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Falsifikim i dokumenteve zyrtare”.

“Me urdhër të prokurorit kompetent, i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë për të vazhduar me procedurat e tjera ligjore”, njoftoi Policia.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale.

“Qëllimi është parandalimi, hetimi dhe zbulimi i aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryerësve të veprave penale, si dhe aktivitetet tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Të ngjashme