Aktakuzë ndaj një personi në Gjakovë, iu sekuestruan mbi 10 mijë euro dhe drogë

Prishtinë | 14 Kor 2026 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj E.K., i dyshuar për posedim dhe shitblerje të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas aktakuzës, policia i gjeti fillimisht 945 euro dhe 2 mijë lekë, ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë e tij u sekuestruan edhe 9,990 euro, 10 franga zvicerane, 187.41 gram marihuanë, 4.56 gram kokainë dhe mjete që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen dhe shpërndarjen e drogës.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet E.K. Sipas aktakuzës ndër të tjera ceket se i pandehuri me inicialet E.K., më datë 12 shtator 2025 rreth orës 20:15 në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, me qëllim të shitjes ose shpërndarjes pa autorizim posedon, substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që derisa i pandehuri ishte duke lëvizur përgjatë rrugës së lartcekur me motoçikletën e tipit Honda, pas ndaljes së tij nga Policia e Kosovës, në çantën e tij janë gjetur nëntë (9) qese plastike me substancë narkotike me peshë prej 12.82 gram si dhe shuma e parave prej 945 euro dhe 2000 lek”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka propozuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë.

“Më pas është realizuar kontrolli dhe bastisja në shtëpinë e të pandehurit, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar para në shumë prej 9990 €uro dhe 10 franga zvicerane, disa qese najloni të mbushur me substancë në formë bari dhe pluhuri, katër (4) peshore digjitale, disa qese të zbrazëta najloni, gërshërë, thikë dhe një (1) lugë e vogël, të cilat kanë shërbyer për përgatitjen dhe më pas shitjen apo shpërndarjen e substancës narkotike”.

“Sipas raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzik (AKF) është konstatuar se substancat e sekuestruar narkotike përmbanin 187.41 gram marihuanë si dhe 4.56 gram kokainë. Me këto veprime, sipas aktakuzës, i pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par.1 të KPRK-së. Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë”, thuhet në komunikatë për media.

Të ngjashme