Vajza e Gani Kocit falënderon donatorët: Kur kishte më së shumti nevojë, njerëzit s’e zhgënjyen

Prishtinë | 14 Kor 2026 | 21:08 | Nga Ekonomia Online

Vajza e veteranit të luftës së UÇK-së, Gani Koci, ka shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë qytetarët që kontribuuan në fushatën e mbledhjes së fondeve për trajtimin e babait të saj.

Përmes një mesazhi publik, ajo falënderoi familjarët, miqtë, bashkatdhetarët dhe të gjithë ata që ndihmuan, qoftë me donacione, shpërndarje të fushatës apo lutje, duke theksuar se mbështetja e tyre i dha forcë familjes në një nga periudhat më të vështira.

Ajo shkroi se babai i saj gjatë gjithë jetës i ka shërbyer vendit dhe njerëzve, por në momentin kur kishte më së shumti nevojë për ndihmë, sipas saj, shteti nuk ishte pranë tij.

“Kur erdhi koha që ai kishte më së shumti nevojë për ndihmë, shteti nuk ishte aty. Por ishit ju. Ju… njerëzit”, shkroi ajo.

Sipas saj, çdo kontribut kishte vlerë të veçantë, pavarësisht shumës së dhuruar.

“Dikush dhuroi 5 euro, dikush 5.000. Për ne, vlera nuk u mat kurrë me shumën. U mat me zemrën që e shoqëroi atë ndihmë”, u shpreh ajo.

Vajza e Gani Kocit bëri të ditur se familja do të vazhdojë të informojë publikun për ecurinë e trajtimit, duke shprehur shpresën se së shpejti do të mund të ndajë lajmin se beteja e babait të saj me sëmundjen është fituar.

Në fund të mesazhit, ajo falënderoi të gjithë donatorët për solidaritetin dhe mbështetjen, duke theksuar se fushata do të mbyllet, por mirënjohja e familjes ndaj të gjithë atyre që ndihmuan “nuk do të mbarojë kurrë”.

Të ngjashme