APK lanson modulin elektronik për parandalimin e konfliktit të interesit

Prishtinë | 16 Kor 2026 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Administratë Publike ( IKAP) kanë lansuar modulin elektronik për parandalimin e konfliktit të interest, raporton Ekonomia Online.

Kjo platformë i mundëson shërbyesve civilë dhe publikë që të trajnohen mbi konfliktin e interesit dhe parandalimin e tij në detyrat e tyre zyrtare.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj tha se lansimi i modulit është mekanizëm i qasshëm dhe i thjeshtë.

“Do të thotë sot me këtë platformë do të ofrojmë mundësi secilit zyrtar publik, secilit shërbyes civil që të mësojë bazën e parandalimit të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik përmes një platforme të thjeshtë, të cilën e kemi zhvilluar në bashkëpunim me Institutin për Administratë Publike dhe e cila është financuar nga Ambasada e Gjermanisë përmes GIZ-it gjerman.

Ky mekanizëm, duke mos dashur të hyj në kohën e prezantimit të kolegut tim pastaj, është një mekanizëm i thjeshtë, i qasshëm, ka informata të thjeshta por që krijon një bazë të mjaftueshme për evitimin e konfliktit të interesit në shumicën dërrmuese të rasteve”, tha Buleshkaj.

Ai tha se moduli është i rëndësishëm ku secili shërbyes Brenda dy orëve mund ta merr bazen dhe mund ta kuptojë së çka mund të ketë konflikt interesi.

“Çka është tjetër e rëndësishme? Është një program i cili është i shkurtër, kompakt, ku secili zyrtar, shërbyes civil brenda dy orësh mund ta merr bazën ku e kupton se çka mund të ketë konflikt interesi. Dhe si fund, i gjenerohet edhe një certifikatë e nënshkruar nga drejtori i i APK-së, një certifikatë e cila është në një linjë me gjithë certifikatat e tjera që merren gjatë ndjekjes së trajnimeve të shërbimit civil në IKAP.

Do të thotë, i ndjekin trajnimet, ata që kryejnë në formë të suksesshme, sepse ka në fund teste, do të do të kemi një dëshmi që e kanë përfunduar këtë këtë trajnim.

Ne idenë e kemi pasur më herët. Ideja është edhe nga informatat që kemi pranuar ku një numër i madh i zyrtarëve publikë kanë deklaruar që nuk kanë shumë njohuri. Sepse Instituti për Administratë Publike zhvillon trajnime në këtë fushë, por numri i madh i zyrtarëve publikë, shërbyes civilë është i është tepër i madh që të gjithë ata të trajnohen fizikisht. Në këtë mënyrë kemi ardhur te ideja e krijimit të këtij moduli elektronik, i cili do të jetë gjithëpërfshirës, i qasshëm nga secila pjesë, nga secili kompjuter i zyrtarëve të shërbimit civil.

Dhe çka është më e rëndësishme, ne jemi në përfundim edhe të krijimit të kushteve për t’iu qasur dhe për të gjeneruar certifikatat edhe për ata që nuk janë shërbyes civilë, për secilin zyrtar i cili mendon që të hyjë në shërbim civil, i cili mendon të kryejë një punë për përfitimin e publikut ose mund të jenë edhe gazetarë apo studiues, të cilët dëshirojnë që të kuptojnë më mirë konfliktin e interesit para se të shkruajnë një artikull për atë apo para se të kenë një pretendim për konflikt interesi”, tha Buleshkaj.

Ndërsa, Fazli Stollaj, zyrtar i Lartë për IT në APK prezentoi modulin që u lansua për  parandalimin e konfliktit të interesit, ku tha se janë 10 tema që përbëjnë një bazë të trajnimeve që shërbyesit civilë mund t’i nënshtrohen.

“Modulin e parë që kemi zgjedhur është moduli për parandalimin e konfliktit të interesit, që kemi konsideruar se është një ndër modulet e rëndësishme për zyrtarët publikë, për shkak se konsiderojmë se konflikti i interesit është një ndër elementet kryesore që e determinon apo e përcakton më shumë integritetin e administratës publike dhe e rrit besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore. Moduli ku kemi alokuar, ku kemi vendosur, është të përdorë teknologjinë Moodle, që është një ndër teknologjitë më të përdorura për mësimet online. Përdoret në masë të madhe nga universitetet, nga institucionet publike, nga organizatat ndërkombëtare dhe ofron siguri për pjesëmarrësit, ofron mundësi që t’i qasen më shumë përdorues në të njëjtën kohë dhe avantazhe të tjera”, tha ai.

“Platforma është mundësia për me u qasur në këtë platformë është për përmes kyçjes apo logimit, që është në dispozicion për të gjithë shërbyesit civilë. Ata të cilët kanë një email zyrtar në RKS, mund të qasen përmes emailit të tyre dhe fjalëkalimit që e kanë. Ndërsa ata të cilët duhet ta ndjekin vetëm pjesën e trajnimit pa iu nënshtruar kuizit dhe testit, atëherë mund ta ndjekin përmbajtjen e këtij trajnimi. Trajnimi përmban një hyrje që shpjegon pak a shumë rëndësinë e këtij trajnimit. Përmban objektivat, përmban gjashtë objektiva të cilat pak a shumë kanë të bëjnë me kuptimin, me të kuptuarit e konfliktit të interesit, dallimin, llojet e konfliktit të interesit, ndërmarrja apo veprimet që duhet t’i marrin në rast të konfliktit të interesit, hapat të cilat duhet të ndërmerren për përvetësimin e parimeve të etikës publike, dhe udhëzimet në raste të paqartësive. Domethënë, mund t’i gjejnë këto. Moduli i trajnimit përmban 10 tema. Secila temë përmban një shpjegim paraprak, pastaj ka një video sqaruese, dhe në fund i nënshtrohet një kuizi për atë temë. Kuizi përmban pesë pyetje dhe kuizi mund të kalohet nëse tri përgjigje kanë qenë të sakta”, tha Stollaj.

Të ngjashme