SHBA e Irani i vazhdojnë sulmet, por Shtëpia e Bardhë këmbëngul se diplomacia është ende e mundur

Prishtinë | 17 Kor 2026 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Forcat amerikane i kanë shtuar sulmet ndaj shënjestrave në Iran, duke goditur ura kyç, linja hekurudhore dhe një aeroport, gjë që ka nxitur kundërpërgjigje nga Teherani. Më gjithë këto sulme të reja, Shtëpia e Bardhë ngul këmbë se bisedimet për paqe po vazhdojnë dhe se diplomacia mbetet ende mundësi e arritshme.

“Forcat amerikane filluan një valë të re sulmesh kundër Iranit për natën e gjashtë radhazi, me qëllim dobësimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake iraniane”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) natën vonë të enjten.

Mëngjesin e së premtes, CENTCOM njoftoi se misioni ishte kryer “me sukses” dhe se ishin goditur “dhjetëra” shënjestra ushtarake në Iran.

“Forcat amerikane, përfshirë avionë luftarakë, dronë dhe anije luftarake, përdorën municione precize për të goditur dhjetëra shënjestra ushtarake iraniane, si pozicione të mbikëqyrjes bregdetare dhe mbrojtjes ajrore, infrastrukturë logjistike ushtarake dhe kapacitete detare”, thuhet në deklaratë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se “arsyeja e sulmeve të ditëve të fundit është se Irani shkeli memorandumin e mirëkuptimit që kishim arritur me ta”.

“Sipas memorandumit të mirëkuptimit që ata nënshkruan, ata nuk duhej veçanërisht të qëllonin mbi anijet tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, por fatkeqësisht ata morën vendimin tragjik për ta bërë këtë”, tha ajo.

Shpërthime në Iran
Në mëngjes herët të premten, mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime dhe sulme në disa zona të vendit.

Konfirmimi i këtyre shpërthime nuk ishte i mundur menjëherë dhe CENTCOM nuk tregoi se në cilat zonat saktësisht kishte vepruar.

Mediat iraniane raportuan sulme rreth ishullit Qeshm pranë Ngushticës së Hormuzit, që ka qenë pika qendrore e konfliktit javët e fundit.

Agjencia e lajmeve Tasnim raportoi gjithashtu se avionë luftarakë amerikanë kishin sulmuar aeroportin në Iranshahr, një qytet me rreth 100.000 banorë, rreth 300 kilometra nga Gjiri i Omanit në jug të Iranit.

Veçmas, agjencia Fars raportoi se një urë në Bandar Khamir ishte goditur nga një sulm amerikan. Bandar Khamir ndodhet në territorin kontinental iranian përballë ishullit Qeshm, i cili është goditur shpesh.

Më vonë, mediat iraniane raportuan se pesë ura në jug të vendit ishin goditur gjatë valës së fundit të sulmeve amerikane, duke shtuar se shtatë njerëz kishin humbur jetën. Verifikimi i këtyre raportimeve ishte i pamundur.

Shpërthime u raportuan edhe në Bushehr, qytet ku ndodhet centrali i vetëm bërthamor civil i Iranit. Televizioni shtetëror e cilësoi sulmin si “vazhdim i agresionit të armikut amerikan”.

Shpërthime u raportuan gjithashtu në një nyje hekurudhore në Bandar Abbas dhe pranë Ahvazit, ku banorët i thanë AFP-së se kishin dëgjuar shpërthime të fuqishme për natën e dytë radhazi.

Irani kundërpërgjigjet
Në orët e para të së premtes, autoritetet në Kuvajt, Bahrejn dhe Katar thanë se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore po reagonin ndaj sulmeve me raketa dhe dronë iranianë.

Mediat iraniane thanë se ushtria e vendit po synonte helikopterë dhe avionë amerikanë të vendosur në një bazë ajrore në Bahrejn “në përgjigje të veprimit armiqësor të armikut që goditi infrastrukturën urbane dhe njerëzit e pafajshëm”.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) pretenduan në dy deklarata të ndara të enjten vonë se kishin goditur baza ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Jordani.

Në njërën deklaratë, IRGC pretendoi se ushtria amerikane kishte përdorur bazat ajrore në Jordani për të nisur sulmet ndaj Iranit një natë më parë.

Sipas deklaratës, Irani u kundërpërgjigj me sulme raketore ndaj “platformës së parkimit të avionëve luftarakë amerikanë dhe qendrës së re amerikane të komandës dhe kontrollit në Azinë Perëndimore në bazën ajrore Azraq në Jordani”.

Në një deklaratë të dytë, IRGC pretendoi se kishte kryer një sulm të kombinuar me raketa dhe dronë ndaj “qendrës së komunikimeve satelitore, objektit të radarit të paralajmërimit të hershëm në bazën ajrore Ali Al Salem dhe molit ushtarak amerikan në Shuaybah të Kuvajtit”.

CENTCOM ende nuk ka reaguar ndaj pretendimeve të IRGC-së.

Veprimet e reja ushtarake kanë shtuar shqetësimet mes analistëve në rajon dhe në Perëndim se Uashingtoni dhe Teherani mund të jenë pranë rikthimit në luftë të përgjithshme.

Një mundësi e arritshme
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë la të kuptohet se diplomacia vazhdon të mbetet një mundësi e arritshme.

“Presidenti do t’i mbajë përgjegjës udhëheqësit iranianë kur ata tërhiqen nga premtimet që ua kanë bërë Shteteve të Bashkuara. Por, ai është gjithmonë i hapur ndaj diplomacisë në të njëjtën kohë”, u tha gazetarëve Leavitt.

“Ata kanë shprehur se ende duan të arrijnë një marrëveshje me presidentin. Ne po bisedojmë me ta, por presidenti nuk do t’i lejojë t’i sulmojnë anijet në Ngushticën e Hormuzit pa u përballur me pasoja”.

Në një fjalim televiziv mbrëmjen e së enjtes, Trump tha se “po fitojmë bindshëm në Iran. Shumë shpejt do të shihni rezultatet e kësaj pune”, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Shpresat se të dyja palët mund të jenë duke lëvizur drejt pajtimit u rritën mbrëmjen e 15 korrikut, kur Teherani lejoi një shtetase amerikane, për të cilën Uashingtoni thotë se ishte “mbajtur padrejtësisht” që nga viti 2024, të largohej nga vendi.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë këtë gjest vullneti të mirë nga Irani!”, shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale.

Avokati për të drejtat e njeriut, Jared Genser, e identifikoi amerikanen si Dena Karari, duke thënë se ajo ishte liruar pasi ishte përballur me “akuza të fabrikuara”.

Sistemi gjyqësor iranian deklaroi se hetimet e tij treguan se asnjë shtetas amerikan që përputhej me përshkrimin e bërë nga Trump, apo ndonjë amerikan tjetër i ndaluar, nuk ishte liruar nga burgjet iraniane ose shkëmbyer.

Megjithatë, avokati i Kararit tha se gruaja 53-vjeçare nuk kishte qenë e burgosur, por se pasaporta e saj ishte konfiskuar, gjë që e kishte penguar të largohej nga Irani.

Teherani është përfshirë shpesh në atë që është quajtur “diplomacia e pengjeve” – ndalimi i shtetasve me shtetësi të dyfishtë dhe i qytetarëve të huaj për arsye arbitrare, me qëllim përdorimin e tyre si mjet presioni ndaj qeverive të huaja për të përmbushur kërkesat e veta./REL/

Të ngjashme