Në Insitutin Albanologjik në Prishtinë, është promovuar libri “Bashkëbisedim me Fadil Vatën 1989” i autorit Hajdin Abazit, raporton Ekonomia Online.
Ky libër u vlerësua si rikthim i kujtesës për një periudhë të rëndësishme të historisë së Lëvizjes Kombëtare.
Autori i librit Hajdin Abazi tha se për vite me radhë kishte luftuar me veten nëse duhej t’i shkruante kujtimet nga bisedat me Fadil Vatën, duke theksuar se ndjeu obligim moral t’i dokumentonte ato.
“Ka disa vite, ndoshta janë dy dekada, që kam pasur një luftë me veten time. Të hyj shkrimit të këtyre kujtimeve apo jo? Sepse nuk kisha fort sigurinë në vetvete se a do t’ia dal apo jo. Po ajo që më nxiste dhe më luftonte ishte kjo: ti je i vetmi që ke pasur fatin ato ditë të jesh me ta dhe të bisedoni pikërisht për ato ndryshime të mëdha. Prandaj, e ke një borxh moral që të tregosh se çfarë keni biseduar, si kanë ndodhur ato vendime publike që janë marrë, si janë përgatitur ato, çfarë është debatuar”, tha ai.
“Asnjëherë askund në libër nuk e kam mohuar pikëpamjen tonë ideologjike, po ajo qëndron në sfond. Sepse ne nuk ishim duke biseduar për parime, qëndron ky parim apo nuk qëndron. Bindjet i kishim, po prej atyre bindjeve kishim gjendjen reale të popullit tonë se çfarë duhet të bëjmë. Situatat ishin shumë dinamike dhe një rrezik… një gabim i vogël i yni mund të kishte kosto të madhe. Vetëm po e tregoj një rast. Ne si të thuash ishim këtu sonte, në mbrëmje erdhi Shaban Muja që e kemi këtu prezent, për… a ky e kishte përgatitur për të na çuar te familja e Sahit Krasniqit atje, si për t’u strehuar dhe ne duke i dëgjuar lajmet, u dha lajmi se kanë hyrë dy armiq të ish-Jugosllavisë atëherë, ata thoshin t’Jugosllavisë, nga diaspora. Dhe Shabani thashë, pak më duket i lodhur, po atëherë ka qenë shumë më i gjallë, e ia nisi me të qeshur, “hahaha”, tha “një hap mbrapa janë”. Pse e kishte përgatitur këtë terren veç me ardhë me na marrë, tha “nëse ju kanë përcjellë, këtu nuk do t’ju gjejnë”, shtoi ai.
Abazi foli edhe për bisedat që zhvillonte me Fadil Vatën dhe Afrim Zhitinë gjatë vitit 1989.
“Dhe pastaj bisedat kanë qenë kryesisht me Fadil Vatën dhe Afrim Zhitinë. Këta, konceptin tim aq sa i kam njohur unë atyre dy muaj që një natë me njërin, një natë me tjetrin jemi takuar sepse vinin të organizoheshin, të sinkronizoheshin me… për çështje organizative, për t’i rivendosur lidhjet sepse ishin duke përgatitur mbledhjen konsoliduese të radhëve dhe krahas asaj që kryenin punët e ditës, vinin të merrnin udhëzime si të vazhdonin më tutje. Unë në ato biseda nuk kam marrë pjesë. Ishin rregullat e konspiracionit ato që nuk duhej të isha dhe unë dilja, dëgjoja përreth, bëja rojë dhe prisja derisa të mbaronin bisedat për çështje organizative. Kur vinin pastaj, fillonim debatin deri në orët e mëngjesit. Më vinte shumë keq dhe shpesh u thosha “po më dhimbseni ju se keni me dalë në terren, keni punë po lodheni, a do të mund të qëndroni?”. Por ishte e pamundur për t’i ndalur ato sepse ne nuk kishim këshilltarë qysh kanë sot politikanët ose burrështetasit. Nuk kishim media që të na ndihmojnë, të na furnizojnë me dhëna. Ishim vetëm ne, një gjysmë lajmi, një rresht mjaftonte ta lexonim për të nxjerrë në rrugë deduktive ato qëndrime, çfarë përgatitje dhe çfarë duhej të bënim”, tha ai.
Ndërsa, nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, vlerësoi lart figurën e veprimtarit Fadil Vata dhe rëndësinë e veprës që trajton mendimin e tij politik.
Hoxhaj tha se Fadil Vata dhe gjenerata e tij shënuan fundin e një epoke dhe fillimin e rrugës drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës.
“Sot jemi mbledhur që ta promovojmë një libër shumë të veçantë për një personalitet shumë të veçantë dhe të madh të Kosovës, sikurse ishte Fadil Vata. Me emrin e Fadil Vatës, por edhe të gjeneratës së tij, të Afrim Zhytisë, dhe të gjeneratës së tij, lidhet padyshim fundi dhe fillimi i një historie. Lidhet fundi i pushtimit, i shpërbërjes jugosllave, por edhe fillimi i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës. Fadil Vata ka qenë ndër ideologët, vizionarët, veprimtarët dhe atdhetarët më të mëdhenj që i ka pasur Kosova dhe kombi shqiptar.Ideali i tij politik, besimi i tij politik, përgatitja e tij intelektuale, guximi dhe vendosmëria e bëjnë shembull të frymëzimit Fadilin, jo vetëm për gjeneratën e tij, po jam i bindur edhe për gjeneratat që do jetojnë çdo herë në Kosovë dhe kudo që jetojnë shqiptarët”, tha Hoxhaj.
Ai përgëzoi autorin Hajdin Abazi për librin dhe mënyrën e ndërtimit të tij, duke e cilësuar si një formë moderne të paraqitjes së mendimit politik.
“Unë dua ta përgëzoj autorin e librit, Hajdin Abazin, për një libër të shkëlqyeshëm që ka shkruar dhe një formë moderne e shkrimit të librit, ku autori është në bashkëbisedim me ideologun e madh, Fadil Vatën. Si i tillë, libri është njëra prej formave më perëndimore të paraqitjes së ideve politike, të diskursit politik, të idealit politik të një kohe të caktuar. Tjetra që është e rëndësishme, ka të bëjë me paralajmërimin e hapur të regjimit shovinist të Beogradit për suprimimin e autonomisë. I kanë hequr maskat, po e thonë troç. Mbase sepse tash janë fortësuar dhe po e ndjejnë të fuqishëm, sa po ndjejnë veten të fuqishëm sa të bëjnë veprime kundër kushtetutës së vitit 1974, e cila është ende në fuqi, e që realisht prek themelin e rendit federativ. Heqja e autonomisë është një ndërmarrje e pastër antishqiptare. Me një gur po goditen dy zogj: edhe po e rikolonizon Kosovën me mënyrën e rubrikës klasike, edhe po minon rregullimin federativ kundrejt republikave të tjera”, shtoi ai.
Ndërsa, bashkëveprimtari i Fadil Vatës, Ramadan Avdiu, tha se libri “Bisedë me Fadil Vatën është një dokument historik dhe dëshmi autentike që sjell para lexuesit botën intelektuale, politike dhe njerëzore të Fadil Vatës.
“Duke e lexuar bashkëbisedimin, gjegjësisht veprën “Bisedë me Fadilin” të autorit Hajdin Abazi, krijova përshtypjen sikurse edhe unë u ndodha në atë shtëpinë e vogël buzë qytezës së Obiliqit, në shtëpinë e veprimtarit Sadik Makolli e Sefedie Makolli, që është motra e veprimtarëve të mirënjohur Sahit Krasniqi e Avni Krasniqi, të cilën po shoh që e kemi këtu. Edhe mu duk, mu krijua përshtypja sikur edhe unë u ndodha aty. Besoj që kur ta lexojnë bashkëveprimtarët, edhe ata do ta kenë një ndjesi të tillë”, tha ai.
Ai tha se promovimi i kësaj vepre është rikthim i kujtesës për një periudhë të rëndësishme të historisë së Lëvizjes Kombëtare.
“Sot nuk po promovojmë thjesht një libër. Sot po rikthejmë kujtesën tonë të një pjese të rëndësishme të historisë së Lëvizjes Kombëtare. Një histori që u shkrua me sakrifica, me burgje, me organizime në fshehtësi, me përpjekje, vendosmëri, por edhe me besim të palëkundur se populli shqiptar duhet të jetojë i lirë në vendin e vet”, shtoi Avdiu.
Avdiu u shpreh se libri i autorit Hajdin Abazi shkon përtej një rrëfimi kujtimesh.
“Libri “Bisedë me Fadil Vatën” i autorit Hajdin Abazi është më tepër se një rrëfim kujtimesh. Ai është një dokument historik, një dëshmi autentike dhe një pasqyrë e rrallë e botës intelektuale, politike dhe njerëzore të njërit prej ideologëve dhe organizatorëve të shquar të Lëvizjes Popullore të Kosovës, heroit të kombit, Fadil Vata. Vlera e kësaj vepre buron nga fakti se autori Hajdin Abazi nuk e shkruan atë mbi bazën e dëgjimeve apo interpretimeve të ndryshme. Ai e shkruan këtë vepër si bashkëveprimtar dhe dëshmitar autentik”, tha ai.




