Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë dhënë fjalët përfundimtare në rastin ndaj Besart Kelmendit dhe Behar Çelajt, të akuzuar për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” ndaj Arbnor Latifit, ndërsa prokuroria ka kërkuar dënimin e tyre me burgim efektiv.
Prokurori i çështjes, Kastriot Berisha, tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje, duke shtuar se i dëmtuari është goditur në mënyrë të përsëritur dhe me mjete të mprehta, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, Besart Kelmendi e ka goditur Arbnor Latifin 26 herë në pjesën e pasme të kokës, duke përdorur edhe thikë, ndërsa lëndimet e shkaktuara kanë qenë të rrezikshme për jetën e tij.
“Është vërtetuar se të pandehurit janë përfshirë dhe kanë kryer veprën penale. Deri te ky përfundim kemi ardhur deri sa e kemi dëgjuar deklaratën e Latifit që është sulmuar. Veprën penale e kanë kryer në bashkëkryerje, gjykatës i propozoj t’i shpall fajtor sipas ligjit. Besartit t’i merr parasysh rrethanë faktin se e godet me mjet të prehtë. Shkallën e lartë për të goditur. Faktin që ka shkaktuar dëmtime, është i dënuar me 5 aktgjykime të formës së prerë. Për Besartin kërkoj dënim deri në 5 vite, ndërsa për Behar Çelaj dënim me 3 vite”, tha prokurori Berisha.
Avokati i të dëmtuarit Arbnor Latifi, Asdren Hoxha, i është bashkuar kërkesës së prokurorisë, duke thënë se gjatë procesit gjyqësor është vërtetuar përfshirja e të dy të akuzuarve në ngjarje.
“Dy të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale. Edhe vetë të akuzuarit nuk e mohojnë një gjë të tillë, përkatësisht Kelmendi ka pranuar fajësinë në njërën nga seancat gjyqësore, ndërsa Çelaj kuptohet se ai pranon përfshirjen e tij dhe veprimet e kundërligjshme, ku ndër tjera deklaroi që kam parë që jam duke vepruar në mënyrë të gabuar. Kemi të bëjmë me të akuzuar për vepra të njëjta dhe të ngjashme dhe me shkallë të lartë të dashjes që përkundër refuzimit të Euron Shalës që të dalë jashtë dhe të evitojë çfarëdo konflikti, dashja e tyre ishte aq e lartë sa që hynë në vend publik dhe sulmojnë persona që ishin duke ngrënë bukë. Andaj i dëmtuari i bashkëngjitet prokurorit dhe kërkon që të akuzuarit të dënohen sipas ligjit me dënim siç i propozoi prokurori”, tha Hoxha.
Në anën tjetër, avokatja e Besart Kelmendit, Saranda Kegjikolla, kundërshtoi fjalën përfundimtare të prokurorisë, duke thënë se nuk është provuar ekzistimi i një plani paraprak apo ndarja e roleve ndërmjet të akuzuarve.
“Prokurori ka shkuar aq larg në rastin konkret duke propozuar dënimet siç dëshiron që në rastin konkret sipas prokurorit nuk ka pasur fare të shkojë në gjykim. Në fjalën përfundimtare time, i mbrojturi im, pas dëgjimit të dëmtuarve, dëshmitarëve, mund të vijë në përfundim se i dëmtuari Euron Shala ka qenë në dijeni që i mbrojturi im gjendet në Gizi Grill. Ka ndodhur një rrahje ku i lënduar ka mbetur një person, se në atë rrahje që ka ndodhur në shumë pak sekonda mund të vërehet se nuk ishte i mbrojturi im ai që ka filluar rrahjen. Gjykata besoj që ka një pasqyrë të qartë se çka ka ndodhur. Gjykatës i propozoj ta shpall fajtor për pjesëmarrje në rrahje, të dënohet me burg të mjaftueshëm”, tha Kegjikolla.
Edhe avokati i Behar Çelajt, Hyset Mazrekaj, kundërshtoi pretendimet e prokurorisë, duke kërkuar lirimin e klientit të tij nga akuzat dhe ndërprerjen e masës së paraburgimit.
“Konsideroj që në këtë çështje janë dhënë prova të mjaftueshme se vepra penale në kontekst të Behar Çelajt nuk është kryer e as nuk është përshkruar drejt në aktakuzë për faktin se gjatë seancave gjyqësore është argumentuar se veprimet e të pandehurit nuk ishin të orientuara në drejtim të kryerjes së veprës penale të pretenduar. Prandaj, i propozoj gjykatës që pos kësaj të ketë parasysh edhe rrethanat lehtësuese se i pandehuri pothuaj është mbajtës i familjes e cila është familje e varfër, për shkak se te i njëjti ky rast ka ndikuar në risocializimin e tij si dhe faktin që deri më tani i pandehuri dhe familja e tij ky rast i ka goditur tej mase. I dyshuari Behar Çelaj të lirohet, t’i ndërpritet paraburgimi dhe të shpallet jo fajtor për veprat penale të përshkruara në aktakuzë”, tha Mazrekaj.
Pas përfundimit të fjalëve përmbyllëse, gjyqtari Bujar Ahmeti njoftoi se shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 21 korrik, në ora 11:00.
