Nis seanca ndaj Eqrem Avdullahut për kanosjen e Hysni Gucatit

Prishtinë | 20 Kor 2026 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Drenas ka filluar seanca gjyqësore ndaj Eqrem Avdullahut nga Rahoveci, i akuzuar për veprën penale “kanosje”, pasi sipas Prokurorisë kishte kërcënuar përmes rrjetit social Facebook kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, raporton Ekonomia Online.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 3 qershor 2026, rreth orës 13:10, i pandehuri Eqrem Avdullahu, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka kanosur seriozisht Hysni Gucatin, duke i shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën.

Në aktakuzë thuhet se në një fanpage në Facebook me emrin “Diaspora në Krye” ishte publikuar një fotografi e Hysni Gucatit me mbishkrimin: “Prokuroria heton Hysni Gucatin – morri rrogë për 19 vite si sekretar shkolle pa shkuar në punë”.

Sipas Prokurorisë, më pas i pandehuri, përmes profilit të tij personal në Facebook me emrin “Eqrem Avdullahu”, kishte komentuar: “Këtë derr duhet pushkatu”.

“Eqrem Avdullahu nga Rahoveci. Ekziston dyshimi i bazuar mirë se me datën 03.06.2026, rreth orës 13:10, i pandehuri Eqrem Avdullahu, përmes rrjetit social Facebook, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit seriozisht e kanos të dëmtuarin Hysni Gucati, në atë mënyrë që në një fanpage në rrjetin social Facebook me emrin ‘Diaspora në Krye’, ishte postuar një foto e të dëmtuarit me mbishkrimin ‘Prokuroria heton Hysni Gucatin – morri rrogë për 19 vite si sekretar shkolle pa shkuar në punë’, ku më pastaj i pandehuri përmes rrjetit social personal të tij në Facebook me emrin ‘Eqrem Avdullahu’, kishte shkruar komentin me fjalët ‘Këtë derr duhet pushkatu’, me ç’rast te i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij, me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale ‘kanosje’”, thuhet në aktakuzë.

Të ngjashme