Kusari-Lila: Mbi 3.1 milionë euro investim për Parkun Industrial në Podujevë

Prishtinë | 20 Kor 2026 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit me Komunën e Podujevës për ndërtimin e Parkut Industrial në fshatin Livadicë, projekt që sipas saj do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të rajonit të Llapit.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila tha se Parku Industrial në Podujevë kishte nisur si projekt ideor para dy vitesh dhe, pas përgatitjeve të bëra nga komuna dhe tejkalimit të disa vonesave procedurale, tashmë ka nisur faza e zbatimit të punimeve.

Ajo njoftoi se projekti do të financohet plotësisht nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit me një vlerë prej 3,118,295.56 euro.

“Ky është një projekt strategjik që do të krijojë kushte moderne për prodhim, investime dhe punësim, duke e shndërruar Podujevën në një qendër të rëndësishme industriale të rajonit të Llapit”, ka shkruar Kusari-Lila.

Sipas saj, Komuna e Podujevës ka siguruar tokën dhe ka përfunduar studimin e fizibilitetit, ndërsa projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe prej 29 hektarësh, për të cilën, siç tha ajo, ekziston interes i madh nga bizneset për të investuar.

Ministrja në detyrë theksoi se Parku Industrial përbën investim në prodhimin vendor, krijimin e vendeve të reja të punës dhe forcimin e ekonomisë së Kosovës.

Ajo shtoi se parku do të ndërtohet sipas parimeve të tranzicionit të gjelbër dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, me qëllim që bizneset të kenë qasje më të lehtë në fondet evropiane.

Kusari-Lila bëri të ditur se Parku Industrial në Podujevë është pjesë e planit për ndërtimin e një rrjeti modern të parqeve industriale në mbarë Kosovën, të cilat synojnë të nxisin prodhimin, eksportin, investimet dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Të ngjashme