Gjini: Aleanca funksionalizon strukturat e reja pas zgjedhjeve të brendshme

Prishtinë | 20 Kor 2026 | 19:31 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka njoftuar se Këshilli i Përgjithshëm i partisë, i dalë nga zgjedhjet e brendshme, ka votuar përbërjen e re të Kryesisë dhe ka funksionalizuar organet e reja partiake.

Sipas Gjinit, gjatë këtij procesi janë themeluar dhe vënë në funksion Këshilli i Kryetarëve të Degëve, Këshilli i Nderit, Kolegjiumi i Ekspertëve të Aleancës, Kolegjiumi i Anëtarëve të Kuvendeve Komunale, si dhe Kolegjiumi i Drejtorëve të Aleancës.

Ai ka vlerësuar se ky hap paraqet një forcim të mëtejshëm të strukturave të partisë dhe një përgatitje për sfidat politike që e presin Aleancën në periudhën e ardhshme.

“Ky proces shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e strukturave tona dhe në përgatitjen për sfidat politike që na presin”, ka shkruar Gjini, duke theksuar se Aleanca do të vazhdojë angazhimin për një Kosovë më të zhvilluar, më të sigurt dhe më të fuqishme.

Gjini ka thënë se Kryesia e re përfaqëson një ndërthurje të përvojës dhe energjisë së re, me synimin për të udhëhequr me përgjegjësi proceset politike dhe organizative të partisë.

Në fund, kryetari i AAK-së ka uruar të gjithë të zgjedhurit për përgjegjësitë e reja dhe u ka dëshiruar sukses në angazhimet e tyre.

Të ngjashme