Ka nisur seanca fillestar në mungesë ndaj të akuzuarve Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci, të cilët akuzohen për veprën penale “Vrasje e rëndë”, në rastin e njohur si konflikti “Capat-Sekiraqët”, raporton Ekonomia Online.
Prokurori i çështjes, Bashkim Zeqaj, tha se ndaj dy të pandehurve janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e pranisë së tyre, mirëpo ata vazhdojnë të jenë në arrati.
“Edhe në shqyrtimin e kaluar i kemi shpjeguar se prokuroria lidhur me këta dy të pandehur ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e tyre, por të njëjtit nga koha e kryerjes së veprës së dyshuar penale gjinden në arrati. Prokurori i shtetit e ka ngritur aktakuzën në mungesë ndaj të pandehurve pasi që janë shterur të gjitha mundësitë ligjore për sigurimin e prezencës dhe arrestimin e tyre. Andaj janë plotësuar të gjitha kushtet për t’u ngritur kjo aktakuzë pasi që janë ndërmarrë masat për sigurimin e prezencës së tyre. Duke filluar nga urdhërarresti, fletarrestimi vendor e ndërkombëtar, mirëpo ata qëndrojnë në arrati edhe pse janë të vetëdijshëm se ndaj tyre është duke u zhvilluar procedurë penale. Këtë e bëjnë me qëllim të shmangies së thirrjeve të prokurorisë dhe organeve të rendit. Për këtë arsye prokurori i shtetit i propozon gjykatës që të vazhdohet gjykimi në mungesë ndaj këtyre të pandehurve, ndërsa sapo të arrestohen apo paraqiten, ndaj tyre menjëherë të caktohet masa e paraburgimit”, tha ai.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dermaku, tha se gjykata ka ndërmarrë veprime për të siguruar praninë e të akuzuarve, përfshirë publikimin e njoftimit në uebfaqen e gjykatës.
Ajo tha se gjykata u ka bërë thirrje edhe vetë të pandehurve që të paraqiten para organeve të drejtësisë, ndërsa ka ftuar edhe personat që kanë informacione për vendndodhjen e tyre që t’i raportojnë ato.
“Me qenë se nuk prezentuan në seancë të pandehurit, si dhe deri në këtë moment nuk kemi pranuar asnjë informacion, gjykata merr parasysh që kemi të bëjmë me vepër të rëndë dhe erdhi në përfundim se gjykimi në mungesë. Ndaj shtatë personave të tjerë është duke u mbajtur procesi gjyqësor. Arsyeja që kemi ndarë gjykimin ndaj këtyre dyve është që t’u japim mundësinë që ata të paraqiten në seancë. Marr aktvendim që të mbahet gjykimi në mungesë ndaj të pandehurve”, tha ajo.
Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci akuzohen gjithashtu se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Me propozim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, gjykimi ndaj tyre do të zhvillohet në mungesë, pasi ata kanë qenë të paarritshëm për organet e drejtësisë deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Përmes njoftimit publik, gjykata u ka bërë thirrje Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes në Republikën e Kosovës. Njëkohësisht, qytetarët që posedojnë informacione mbi vendndodhjen e tyre janë ftuar t’i raportojnë ato në Policinë e Kosovës ose te organet e tjera kompetente.
Në lidhje me këtë ngjarje, ku mbeti i vrarë një person, është ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave.
Sipas aktakuzës, të pandehurit K.R., V.A., D.M. dhe E.M., të grupit të njohur me nofkën “C”, më 1 shtator 2024, rreth orës 22:04, në lokalin “From” dhe jashtë tij, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, në bashkëkryerje dhe pas një marrëveshjeje paraprake, janë mbledhur, janë maskuar dhe janë pajisur me armë të gjata dhe armë të shkurtra, revole, si dhe mjete të forta, stupca.
Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë marrë në përdorim tri vetura të markave Porsche, Volksëagen Polo dhe Audi A7, të cilave ua kanë ndërruar targat duke vendosur targa të vjedhura, me qëllim të tentimit për privimin nga jeta të pandehurit të tjerë S.S. dhe anëtarëve të grupit të tij, përkatësisht F.A., E.LL. dhe R.LI.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafët 1.5 dhe 1.11, lidhur me nenet 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri V.B. akuzohet se ka kryer veprën penale “Manipulim me prova”, nga neni 389, paragrafi 1 i KPRK-së, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.
