Në seancën e Kuvendit Komunal të Rahovecit, me 20 vota për, u miratua pika për caktimin e lokacionit për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Fortesë, raporton Ekonomia Online.
Ndër pikat e tjera të rendit të ditës ishin shqyrtimi dhe miratimi i ndryshim-plotësimit të Rregullores nr. 01/23, të datës 30.03.2023, për menaxhimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Rahovecit, si dhe shqyrtimi i Raportit Financiar gjashtëmujor për periudhën janar–qershor 2026.
Asambleisti Jusuf Dermala ngriti çështjen e pastrimit te Ura e Hamocit, duke kritikuar mënyrën e angazhimit të makinerisë dhe punëtorëve.
“Për Drejtorin e Shërbimeve Publike kam pasur një kërkesë më herët në lidhje me pastrimin tek hyrjet e Hamocit. Drejtor dje e kam pa qe i ke qu bagerat, jo me i mbulu mbeturinen me dhe, por me pastru duhet. Jo me i mbulu mbeturinat me dhe duhet me u pastru. I ke dergu punëtoret më bagera, duhet me i pastru mbeturinat jo me i mbulu me dhe, qasja është e gabuar kur i qon bagerat më pastru”, tha Dermala.
Ndërkaq, drejtori për Financa, Arif Limani, gjatë prezantimit të Raportit të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Rahovecit për vitin 2025, bëri të ditur se raporti përfundon me opinion të kualifikuar.
Sipas tij, ky opinion është dhënë si rezultat i keqklasifikimeve që lidhen me pagesën e kontratës kolektive.
“Edhe pasqyrat financiare të Komunës së Rahovecit për këtë vit kanë rezultuar me opinion të kualifikuar si rezultat i keqklasifikimeve të cilat kanë ndodhë me pagesën e kontratës kolektive, në vlerë prej 2 milion eurosh. Ky raport ka përmbajtur edhe shtatë rekomandime, prej të cilave pesë prej dy janë të përsëritura, ndërsa dy janë të reja. Nga rekomandimet e vitit të kaluar, dy janë zbatuar, ndërsa të tjerat janë në proces”, tha Limani.
Kjo ishte seanca e shtatë e Kuvendit Komunal të Rahovecit.
