Policia e Kosovës ka njoftuar se më 24 dhe 25 korrik 2026 do të zbatohen masa të veçanta për menaxhimin e trafikut për shkak të koncertit që do të mbahet në Prishtina Mall.
Sipas njoftimit, masat do të hyjnë në fuqi nga ora 16:00 dhe do të mbeten në zbatim deri në përfundim të aktivitetit, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe shmangies së ngarkesave në trafik.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që udhëtojnë në relacionin Prishtinë–Shkup dhe anasjelltas të përdorin Autostradën “Arbën Xhaferi”, për të shmangur vonesat e mundshme.
Për pjesëmarrësit në koncert janë organizuar autobusë falas të Trafikut Urban, të cilët do të qarkullojnë nga Prishtina drejt Prishtina Mall dhe në drejtimin e kundërt.
Ndërkohë, për automjetet që lëvizin nga Prishtina në drejtim të Prishtina Mall, pas rrethrrotullimit të Marigonës do të vendosen kona në shiritin e majtë të qarkullimit, i cili do të rezervohet për vizitorët e koncertit.
Po ashtu, për automjetet që vijnë nga Ferizaj në drejtim të Prishtina Mall, do të vendosen kona në shiritin e djathtë, ndërsa hyrja për vizitorët do të realizohet përmes rrugicës në anën e djathtë, para se të arrihet te rrethrrotullimi i Prishtina Mall.
Policia ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke i ftuar ata të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe sinjalizimin e përkohshëm rrugor, në mënyrë që të garantohet siguria dhe mbarëvajtja e trafikut gjatë zhvillimit të aktivitetit.