Avokatët mbrojtës të të akuzuarve të tjerë në rastin “Drenica 1”, ku po akuzohet edhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, kanë kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që klientët e tyre të shpallen të pafajshëm dhe të lirohen nga akuzat, raporton Ekonomia Online.
Në fjalët përfundimtare, mbrojtja ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke thënë se nuk ka prova të mjaftueshme që të dëshmojnë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.
Avokati i Rrustem Rukollit, Arianit Koci, ka thënë se Prokuroria nuk ka provuar se cilat veprime konkrete i ka kryer klienti i tij dhe se me cilat prova mbështeten këto pretendime.
“Çka ka provuar prokuroria se ka bërë konkretisht Rrustem Rukolli? Për Rrustem Rukollin a është qartë se cilat veprime konkrete pretendon se prokuroria se i ka kryer, a edhe me cilat prova i mbështet këto pretendime. Në raport me Nazmi Malokun, i cili ka qenë dëshmitar i mbrojtur, prokuroria pretendon se së bashku me persona të tjerë, Rukolli ka ndërmarrë veprime që synonin ndryshimin e deklaratës së tij në këmbim të ofrimit të parave, një banesë dhe trajtimit mjekësor të bashkëshortes. Prandaj për Rrustem Rukollin duhet të marrim përgjigje në katër pyetje. A e ka kërcënuar Nazmi Malokun? Jo. A i ka dhënë ose ofruar para që të ndryshojë dëshmi? Jo. A i ka kërkuar të dëshmojë rrejshëm? Jo. A është marrë vesh me persona të tjerë për t’i kryer këto veprime? Jo… Gjykata duhet ta liroj nga të gjitha akuzat”, tha ai.
Edhe i akuzuari Rrustem Rukolli ka kërkuar që të shpallet i pafajshëm, duke mohuar përfshirjen në veprimet për të cilat akuzohet.
“Në vitin 2013 EULEX-i ngriti aktakuzë ndaj të ashtuquajturit grupi Drenica, ndër ta edhe Sami Lushtaku, vendosa t’i bashkohesha ekipit mbrojtës si koordinator i mbrojtjes për gjeneralin Sami Lushtaku. Pas afro 2 viteve procedurë shumica e dëshmitarëve ishte dëgjuar në gjykatë, prokurori Salusteo dhe ndihmësi i tij kishin përgatitur deklaratat e dëshmitarëve vetëm në gjuhën angleze dhe ato ishin përshtatur sipas nevojës së akuzës. Dëshmitarët ishin shtyrë t’i nënshkruajnë ato në atë formë. Shumë dëshmitarë dëshmuan ndryshe nga deklaratat e tyre të mëparshme, të cilat prokurori i kishte paraqitur si prova. Me kalimin e seancave u bë e qartë se shumica e dëshmitarëve nuk po e përkrahnin dëshminë e paraqitur në akuzë. Në këto rrethana prokurori paraqiti teorinë se dëshmitarët ishin frikësuar. Kjo ndodhi për shkak se deklaratat ishin shkruar dhe përshtatur nga vetë prokurori. Vetëm dëshmitari C, Nazmi Maloku, ai asnjëherë të vetme gjatë procesit nuk e përmendi Sami Lushtakun. Këtu shtrohet pyetja se cili ishte motivi ynë që të merremi me dëshmitar. Duke marrë parasysh këto rrethana kërkoj që të shpallem i pafajshëm”, tha ai.
Ndërkaq, i akuzuari Sheremet Jashari e ka cilësuar aktakuzën si të pabazë dhe ka kërkuar nga gjykata që të heqë dorë nga akuzat ndaj tij.
“Kjo aktakuzë është e ngritur nga EULEX-i, është e pabazë, unë nuk e fajësoj prokurorin tonë për këtë aktakuzë se kjo e ka marrë aktakuzën e gatshme, kjo këtu e lexon vetëm çka kanë shkruar ata. Këtë aktakuzë e ka ngritur një ndërkombëtar i Indisë, që nuk beson në Zot e unë në çka t’i besoj atij kur kërkon të më mbyllë e t’i lë fëmijët pa bukë. E lus prokurorin, mes meje ka vetëm një fotografi me grupin Drenica, telefonat, unë i përgjigjem, nuk ka kurrfarë fakti që unë kam nejt me dëshmitarin F. Unë ato para i kisha mbajt vetë, nuk ia kisha dërguar atij. Kjo aktakuzë është dashur që të veçohet, lënda ime. Unë ju kisha lutur ju që të hiqni dorë nga aktakuza që të lirohem”, tha ai.
Edhe avokati Osmani Mehmeti, mbrojtës i Sheremet Jasharit, ka propozuar që, në mungesë të provave, i akuzuari të shpallet i pafajshëm.
Kërkesë për lirimin e klientit të tij ka bërë edhe avokati Nebih Troshupa, mbrojtës i Rexhep Xhotës.
Ndërkaq, avokati Vigan Rugova, mbrojtës i Fatmir Mjakut, ka thënë se nuk ka asnjë provë që klienti i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe ka kërkuar lirimin e tij.
Edhe avokati Mahmuti Halimi, mbrojtës i Ismet Haxhës, ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga të tria veprat penale që i vihen në barrë.
Avokati Nasuf Hasani ka kërkuar që ndaj të akuzuarit Skender Tahiri të merret aktgjykim lirues, ndërsa avokati i Bajram Dibranit po ashtu ka kërkuar lirimin e klientit të tij nga akuzat.
Në fund të seancës, kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska, ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 28 korrik, në orën 13:10.
“Shpallja e aktgjykimit do të mbahet më datë 28 korrik në ora 13:10”, tha ai.
