Kosova dhe Gjermania thellojnë bashkëpunimin për klimën dhe tranzicionin energjetik

Prishtinë | 24 Kor 2026 | 14:13 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Gjermania thellojnë bashkëpunimin për klimën dhe tranzicionin energjetik

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar për nënshkrimin e Marrëveshjes së Zbatimit për Mbështetjen e Partneritetit për Klimën dhe Tranzicionin Energjetik, duke shënuar një hap të ri në bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

    Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë atasheu për klimën i Ambasadës së Gjermanisë, së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe GIZ Kosovo.

    Sipas Ambasadës së Gjermanisë, marrëveshja e shndërron Partneritetin për Klimën dhe Energjinë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë në një kornizë konkrete bashkëpunimi, me synim forcimin e dialogut për politikat, koordinimin institucional dhe ngritjen e kapaciteteve.

    Po ashtu, marrëveshja pritet të mbështesë diplomacinë klimatike të Kosovës, të rrisë dukshmërinë e saj në nivel ndërkombëtar dhe të nxisë angazhimin e shoqërisë në veprimet për klimën dhe tranzicionin energjetik.

    Ambasada e Gjermanisë theksoi se ky është një tjetër hap i rëndësishëm në bashkëpunimin shumëvjeçar mes dy vendeve dhe në angazhimin e përbashkët për zhvillimin e qëndrueshëm dhe avancimin e integrimit evropian të Kosovës.

    Të ngjashme