Qeveria në detyrë ka miratuar projekt-rregulloren për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për zjarrfikësit, e cila synon standardizimin e procesit të përzgjedhjes dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të njësive të zjarrfikjes dhe shpëtimit në vend, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se projekt-rregullorja është në përputhje me prioritetet e Planit Kombëtar për Zhvillim 2026-2028.
“Ka propozuar për shqyrtim dhe miratim projekt-rregulloren për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për zjarrfikës, e cila standardizon procesin e përzgjedhjes dhe forcon kapacitetet profesionale të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe të shpëtimit në përputhje me prioritetet e Planit Kombëtar për Zhvillim 2026-2028”, tha Kurti.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se projekt-rregullorja është hartuar në kuadër të planit të akteve nënligjore për vitin 2026 dhe synon krijimin e një sistemi të unifikuar e transparent të rekrutimit të zjarrfikësve.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se projekt-rregullorja është hartuar në kuadër të planit të akteve nënligjore për vitin 2026 dhe synon krijimin e një sistemi të unifikuar e transparent të rekrutimit të zjarrfikësve.
“Ministria e Punëve të Brendshme, sipas planit të akteve nënligjore për vitin 2026, ka hartuar projekt-rregulloren për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për zjarrfikës në Republikën e Kosovës. Shërbimi i zjarrfikjes dhe shpëtimit paraqet një ndër komponentët më të rëndësishme të sistemit të sigurisë publike dhe menaxhimit të emergjencave në Republikën e Kosovës. Funksionimi efikas i këtij shërbimi varet drejtpërdrejt nga disponueshmëria e personelit profesional, të trajnuar dhe të përgatitur për t’ju përgjigjur rreziqeve dhe situatave emergjente. Me qëllim të krijimit të një sistemi të unifikuar, transparent dhe të bazuar në meritë për përzgjedhjen e personelit zjarrfikës, Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar këtë projekt-rregullore e cila përcakton procedurat, kriteret standarde dhe përgjegjësitë institucionale për rekrutimin e zjarrfikësve në Republikën e Kosovës në përputhje me dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publikë, për çka edhe kemi pranuar edhe pëlqimin përkatës nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike. Kjo rregullore synon të sigurojë që procesi i rekrutimit të zhvillohet në përputhje me parimet e ligjshmërisë, profesionalizmit, transparencës e mundësive të barabarta, duke mundësuar përzgjedhjen e kandidatëve më të përgatitur për ushtrimin e detyrave me rëndësi etike për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit. Duke pasur parasysh se jemi në prag të sezonit të verës, periudhë gjatë së cilës rritet ndjeshëm rreziku nga zjarret, nevoja për shtimin dhe fuqizimin e kapaciteteve njerëzore në shërbimin e zjarrfikjes dhe shpëtimit bëhet edhe më e domosdoshme. Andaj, duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj rregulloreje re, nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale në fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit, si dhe nevojën për rregullimin dhe standardizimin e procedurave të rekrutimit të personelit profesional zjarrfikës, kërkojmë nga ju miratimin e kësaj rregulloreje”, tha Sveçla.
