Qeveria miraton dhënien me qira të një pjese të pronës publike në Reçak për shfrytëzimin e gurit gëlqeror

Prishtinë | 24 Kor 2026 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Qeveria në detyrë ka miratuar propozim-vendimin për aprovimin e dhënies me qira për 15 vjet të një pjese të pronës publike në zonën kadastrale të Reçakut, në Komunën e Shtimes, për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se propozimi është përgatitur në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe pas marrjes së pëlqimeve nga institucionet kompetente.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka propozuar për shqyrtim dhe miratim propozim-vendimin për paraaprovimin e dhënies në qira, për një periudhë 15-vjeçare, të një pjese të pronës publike në zonën kadastrale të Reçakut, Komuna e Shtimes, për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror. Propozimi është përgatitur në përputhje me Ligjin për Pronat Publike dhe procedurat përkatëse, ndërsa janë siguruar pëlqimet dhe aktet e nevojshme nga institucionet kompetente”, tha Kurti.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, tha se vendimi parasheh dhënien me qira të një sipërfaqeje prej 61.402 metrash katrorë tokë pyjore në zonën kadastrale Reçak për operatorin ekonomik “Toni Kompani” SH.P.K.

“Para jush sot është propozim-vendimi për dhënien me qira për një periudhë 15-vjeçare të një sipërfaqeje prej 61.402 m² të tokës bujqësore në zonën kadastrale Reçak, Komuna e Shtimes, për shfrytëzimin e gurit gëlqeror nga operatori ekonomik “Toni Kompani” SH.P.K. Ky propozim është përgatitur në përputhje me Ligjin për Pronën Publike, rregulloren për kushtet e bartjes së pronësisë së pronës publike dhe dhënien me qira të sendeve në pronësi publike, si dhe legjislacionin sektorial në fuqi. Dosja është shqyrtuar nga Zyra për Administrimin e Pronës Publike dhe paraprakisht është konstatuar se sipërfaqja është e përshtatshme për këtë destinim. Kontrata parasheh pagesën e qirasë sipas legjislacionit në fuqi, detyrimin e qiramarrësit për përdorimin dhe mirëmbajtjen e sipërfaqeve që janë subjekt i këtij vendimi. Me këtë vendim mundësohet shfrytëzimi i një resursi natyror në përputhje me kornizën ligjore, duke garantuar mbrojtjen e interesit publik, menaxhimin e qëndrueshëm të pronës publike dhe respektimin e të gjitha obligimeve kontraktuale dhe mjedisore”, tha Muja.

Të ngjashme