Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, së bashku me anëtarët Elza Bajrami-Kastrati, Visar Krasniqi dhe Arlinda Muqa, si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, kanë zhvilluar një vizitë te Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi.
Gjatë takimit, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, shprehu mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë institucional të Këshillit për Kryeprokurorin e Shtetit në ushtrimin e mandatit të tij kushtetues dhe ligjor. Ai theksoi se KPK do të vazhdojë të sigurojë kushtet e nevojshme institucionale, administrative dhe organizative për funksionimin e pavarur, profesional dhe efikas të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të gjithë sistemit prokurorial.
Sipas Gashit, koordinimi i ngushtë ndërinstitucional mbetet kyç për ngritjen e kapaciteteve profesionale, rritjen e efikasitetit në luftimin e kriminalitetit, avancimin e reformave dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
Në takim, Arian Gashi dhe Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, riafirmuan përkushtimin për garantimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e luftës kundër kriminalitetit në Kosovë. Ata theksuan se luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar dhe formave të tjera të kriminalitetit mbetet prioritet institucional.
Po ashtu, u theksua se Prokurori i Shtetit do të ushtrojë kompetencat e tij me profesionalizëm, integritet dhe paanshmëri, duke zbatuar ligjin në mënyrë të barabartë ndaj çdo personi, pa dallim të pozitës apo funksionit.
Nga ana e tij, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, falënderoi kryesuesin dhe anëtarët e KPK-së për vizitën, duke vlerësuar gatishmërinë e Këshillit për të vazhduar bashkëpunimin institucional. Ai theksoi se koordinimi ndërmjet dy institucioneve është i domosdoshëm për realizimin e mandatit kushtetues të prokurorisë, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial.