Temperaturat e larta shkaktojnë thatësira të mëdha në Francë

Prishtinë | 24 Kor 2026 | 20:16 | Nga Ekonomia Online

Rreth një e katërta e lumenjve të vegjël të Francës janë tharë tashmë, ndërsa vendi përballet me atë që mund të shndërrohet në një thatësirë ​​më të rëndë se ajo rekord e verës së vitit 2022. Këtë e bëri të ditur të premten një hidrologe nga Qendra Kombëtare për Kërkime Shkencore e Francës (CNRS).

“Njëzet e pesë për qind e lumenjve të vegjël në Francë janë aktualisht të tharë. Ky është një nivel që e tejkalon ndjeshëm ecurinë e zakonshme të thatësirave,” tha për “France Inter” Agnes Ducharne, hidrologe dhe studiuese në CNRS, shkruan Anadolu.

Ducharne theksoi se, me përjashtim të rezervave të ujërave nëntokësore, të gjithë treguesit e thatësirës janë tashmë më të rëndë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

“Të gjithë treguesit paralajmërojnë një thatësirë ​​të jashtëzakonshme”, tha Ducharne, duke shtuar se situata aktuale “ka gjasa të përkeqësohet deri në fund të sezonit.”

Ajo shpjegoi se gjendja e ujërave nëntokësore mbetet më pak kritike krahasuar me vitin 2022, falë reshjeve të dendura gjatë dimrit, por shtoi se treguesit e thatësirës sipërfaqësore janë përkeqësuar shumë më shpejt këtë vit.

Të ngjashme