Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka folur lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku verdikti final për ta do të shpallet në shtator, raporton Ekonomia Online.
Konjufca, ka bërë thirrje që vendimi të bazohet në drejtësi dhe jo në konsiderata politike.
Ai theksoi se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe se çdo vendim që, sipas tij, do ta trajtonte atë si luftë kriminale, do të shkaktonte reagim dhe pakënaqësi të madhe te qytetarët e Kosovës.
“Unë bëj thirrje që Gjykata e Hagës të mos bëjë vendim politik, por vendim të drejtësisë, e nëse bën vendim të drejtësisë ne të gjithë e dijmë çka është drejtësia, ne të gjithë jemi dëshmitarë që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë, të kishte qenë luftë kriminale, kurrë nuk do ta kishte marrë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, këtë mbajeni mend. Nuk ka mundësi një luftë kriminale me u mbështetë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej Britanisë së madhe prej Gjermanisë e prej Francës. Gjeneralët më të njohur të NATO-s kanë qenë bashkë më figurat më të njohura të UÇK-së, oficerët e NATO-s kanë bashkëpunuar me trajnimet me oficerët e UÇK-së që lufta të jetë e suksesshme. Pse e kanë bërë këtë, sepse lufta jonë i ka kontribuar ndaljes së gjenocidit të Millosheviqit, të akuzuarit në Hagë, këtij qëllimi i kanë kontribuar. Kjo është drejtësia, nëse vendoset drejtësia ne nuk dëshirojmë si popull, bile do të ishim shumë të revoltuar nëse do të merrej vendim politik”, tha Konjufca.
