Gjykata refuzon kërkesën e Prokurorisë që Florim Zekajt t’i konfiskohet pasuria që pretendohet se është fituar kundërligjshëm

Prishtinë | 28 Kor 2026 | 10:13 | Nga Ekonomia Online

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e pasurisë së Florim Zekajt, e cila pretendohet se është fituar kundërligjshëm. Gjykata arsyetoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për konfiskim.

“Refuzohet kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për konfiskimin e pasurisë në raport me të pandehurin Florim Zeka, kjo për shkak se nuk janë plotësuar kushtet ligjore të Ligjit për Kompetenca të Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë”, tha kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Po ashtu, Beqiri tha se shpenzimet e procedurës lidhur me këtë çështje mbesin në barrë të mjeteve buxhetore të Gjykatës.

Prezent në shpallje ishin edhe i akuzuari Florim Zekaj dhe palët e dëmtuara- Hava dhe Avdi Fekaj.

Në seancën e 26 janarit 2026, prokurori Kastriot Memaj sqaroi se Zekaj është dënuar me vendim të formës së prerë i cili i është nënshtruar edhe kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku është përcaktuar obligimi që të dëmtuarve t’iu kompensohet shuma prej 173 mijë e 944 euro. Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë ishte parashtruar nga mbrojtja e Zekajt dhe Ademit. Memaj sqaroi se bazuar në këtë vendim, PSRK ka parashtuar kërkesë për verifikim prone dhe konfiskim të saj në vlerën prej 173 mijë e 944 euro, bazuar në Ligjin për kompetencat e zgjeruara.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, në shkurt të vitit 2018, kishte shpallur aktgjykim, me të cilin i akuzuari Zekaj, për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”, ishte dënuar me burg në kohëzgjatje prej 2 vjetësh, për dy vepra penale “Mashtrim”, ishte dënuar me nga 1 vit burg dhe me nga 3,000 euro gjobë, si dhe për “Shpëlarje të parave”, ishte dënuar me 1 vit burg dhe 6,000 euro gjobë. Dënimi unik që ishte shqiptuar ndaj tij nga gjykata kishte qenë 4 vjet e 10 muaj burgim si dhe 12,000 euro gjobë. Ndërkaq, Zekaj ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të ndihmës në falsifikimin e dokumenteve.

Gjithashtu, ai ishte obliguar të kompensojë të dëmtuarin Avdi Fekaj, në shumë prej 172,944.00 euro, në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në llogarinë e të dëmtuarit Avdi Fekaj. Florim Zekaj, ishte obliguar nga gjykata të kompensojë edhe palën tjetër të dëmtuar, Bekim Maliqin, i cili asnjëherë nuk ishte paraqitur gjatë gjykimit, në shumën prej 61.944.00 euro.

Përveç dënimeve të lartcekura, gjykata, ndaj të pandehurit Florim Zekaj, kishte shqiptuar dënimin plotësues, me ç’rast atij ishte urdhëruar konfiskimi i dy automjeteve dhe gjithashtu gjykata kishte urdhëruar që t’i sekuestrohet shuma e parave që gjendet në llogari të tij, në vlerë prej 11,970 euro. Këto para, si dhe paratë nga shitja e automjeteve, sipas aktgjykimit të shpallur, do të kalonin në llogarinë e të dëmtuarit Avni Fekaj, e që do të zbriteshin në shumën e kompensimit të dëmit.

Ndaj të akuzuarit tjetër në këtë rast, Labinot Ademit, gjykata kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 2 muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej 1000 euro, pasi e kishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit. Të akuzuarin tjetër, Afrim Haxha, gjykata e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 27 mars 2013 deri më 8 nëntor 2013. Ndërsa, ndaj të akuzuarit Ali Nurqaj, për veprën “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”, gjykata kishte shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 viti, ndërsa për mashtrim, dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti dhe dënim me gjobë prej 500 euro.

Edhe ndaj të akuzuarit Ali Nurqaj, gjykata kishte shqiptuar dënim unik prej 1 vit e 8 muaj burgim, i cili dënim është i kushtëzuar, nëse për 5 vite nuk kryen vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 euro, të cilin duhet ta paguajë brenda afatit prej 3 muajve. Ai gjithashtu është obliguar ta kompensojë të dëmtuarin Avdi Fekaj, në shumë prej 1000 euro. Gjykata po ashtu ka përcaktuar që të anulohen të gjitha dokumentet e lëshuara në emër të Avdi Fekajt, e me fotografi të Ali Nurqaj, siç janë letërnjoftimi i Kosovës dhe ai i Serbisë.

Me aktgjykimin e marrë më 14 nëntor 2018, Apeli kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë. Por, Gjykata Supreme, e kishte anuluar vendimin për shkak se kishte konstatuar shkelje në përbërjen e kolegjit të Apelit që kishte vendosur në këtë çështje.

Kurse, sërish Apeli e kishte vërtetuar në pjesën më të madhe të aktgjykimit të Themelores. Apeli i kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Zekaj dhe Ademi, ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

Të ngjashme