Ademi: Nga 51 prova të analizuara, asnjëri nga personat e dyshuar nuk është përjashtuar

Prishtinë | 28 Kor 2026 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Në rastin ndaj vëllezërve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, të akuzuar për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, dëshmitari Fatmir Ademi, drejtor i Departamentit për Kimi dhe Biologji në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ka thënë se rezultatet e analizave të ADN-së janë konfirmuar plotësisht edhe nga laboratori në Itali, raporton Ekonomia Online.

Këtë Ademi e ka bërë të ditur gjatë përgjigjeve në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Vesel Ismaili, i cili e ka pyetur nëse rezultati i analizave ka qenë i njëjtë edhe nga laboratori në Itali.

“Ka qenë i njëjti rezultat plotësisht i konfirmuar që ne e kemi analizuar plus është bërë në mënyrë statistikore”, tha ai.

Më pas, gjyqtari Ismaili e ka pyetur Ademin se, përveç fitilit ndezës, cilat prova të tjera janë marrë nga vendi i ngjarjes.

“Sipas dokumentacionit që ne kemi pranuar, nga vendi i shpërthimit kanë qenë dëshmia numër një, litar, dëshmia material stitenit pjesë e dorës së çantës pjesërisht e djegur dhe e lagur, dëshmia një kapel, dëshmia një fitil kabllo ndezës me gjatësi rreth 9 metra, dëshmia një pjesë e patentit të çantës, dëshmia tjetër një fitil ndezës kabllo që ka qenë më e shkurtër dhe dëshmia një pjesë e çantës e zezë dhe e shqyer”, tha ai.

Gjyqtari Ismaili e ka pyetur dëshmitarin nëse nga ekzaminimi i provave të ADN-së është përjashtuar ndonjë nga personat që kanë qenë pjesë e hetimeve.

“Nga 51 dëshmi të analizuara asnjëri nga personat s1 dhe s3 nuk janë përjashtuar”, tha Ademi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepencit”, infrastrukturë publike që shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për nevojat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhimin e energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshjeje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit Trinitrotoluen (TNT) në brendësi të kanalit.

Prokuroria pretendon se eksplozivi është vendosur përmes një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni, me qëllim të shkaktimit të dëmtimit serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe energji elektrike.

Si pasojë e shpërthimit, sipas aktakuzës, është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të “Ibër Lepencit”, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave të Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un dhe është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike në nivel vendi.

Me këto veprime, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen për veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Të ngjashme