Me moton “Play Music, Not War”, Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj International Opera Festival 2026 do të kulmojë nesër në Prishtinë me koncertin e tenorit me famë botërore, Rame Lahaj, raporton Ekonomia Online.
Në prag të këtij eventi, organizatorët mbajtën një konferencë për media, ku u fol për mesazhin e festivalit, rëndësinë e muzikës si urë paqeje, promovimin e këngës shqipe dhe ndikimin e artit në edukimin e brezave të rinj.
Artisti, Rame Lahaj duke folur për moton e festivalit tha se kjo e fundit buron nga luftërat që po ndodhin vitet e fundit.
“Motoja ka ardhur shumë thjeshtë sepse vitet e fundit me gjithë luftën në Ukrainë e me luftën në Palestinë e me gjithë luftërat që po ndodhin realisht këto vitet e fundit, sidomos, njerëzit e pushtetit duke filluar prej Trump-it, pa dashur me kaluar në politikë, por ajo që na shohim për ditë në telefonat tonë ose nëpër televizione ti e sheh që jemi në një pikë frustrimi ku njerëzit dalin e flasin në emër të kombit, në emër të shtetit, me frustrimin më të madh për forcën, për luftën, për potencën e madhe që munden me e pasur për shtetin që kanë, si shtet prej nga vijnë”, tha ai.
Lahaj tha se kënga shqipe është shumë e rëndësishme për fondacionin dhe theksoi se është rritur duke dëgjuar atë.
“Ajo çfarë është shumë e rëndësishme për fondacionin në këtë rast në kuadër të festivalit dhe jo vetëm, është kënga shqipe. Unë jam rritur me këngën shqipe. Unë pastaj kam, për fat të mirë, kam kënduar në disa gjuhë të ndryshme për fatin profesional, po unë jam rritur në kuzhinë me nënën duke dëgjuar këngët e Nexhmijes ose Vaçe Zelës ose plot yjeve të tjera shqiptare. Kështu që unë kur kam dalë me shkuar në prova kam pasur në kufje ose në dëgjueset e mia kam pasur këngën shqipe. Kështu që, kemi punuar shumë me ekipen edhe sigurisht bashkë me institucionet për ta zgjeruar platformën e sidomos me mbrëmjen e Nexhmijes.”, u shpreh ai.
Blerta Ristani, drejtoreshë Artistike e Operës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar e cilësoi këtë festival si rilindje në fund të sezonit.
“Fakti që është viti i dytë që marrim pjesë në këtë festival dëshmon në fakt seriozitetin e dyanshëm, sepse për ne, për orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar ndoshta kjo mbyllje e sezonit dhe vazhdimi i punës me këtë projekt pritet me një kënaqësi shumë të madhe dhe orkestra jonë, pavarësisht se është e profilit simfonik, po kjo i duket ky fund sezoni me këtë aktivitet i duket si një rilindje në fund të sezonit edhe të gjithë instrumentistët janë shumë entuziastë dhe e presin e kanë me dëshirë shumë të madhe të marrin pjesë në këtë aktivitet”, tha ajo.
Mary Miller, anëtare e bordit të Fondacionit “Rame Lahaj”, tha se gjithçka që po bën ky fondacion, është gjeja më e rëndësishme që po u dhurohet fëmijëve, të rinjvë e personave në burgje.
“Mendoj se gjithçka që Rame, fondacioni dhe ju të gjithë si ekip po bëni është ndoshta gjëja më e rëndësishme që mund t’ua dhuroni fëmijëve tuaj, të rinjve, të moshuarve dhe njerëzve që ndodhen në burgje. Kjo është një mundësi që ata të zbulojnë diçka brenda vetes që është krejtësisht personale dhe unike, dhe që mund t’ua ndryshojë jetën.
Prandaj, është një nder i madh për mua të jem këtu. Kjo është hera e tretë që vij në Kosovë dhe është kënaqësi të shoh se si po rritet e po zhvillohet ajo që po ndërtohet këtu. Është e mrekullueshme të dëgjosh zëra të jashtëzakonshëm, një mbrëmje të shijosh një performancë të mrekullueshme opere, e pastaj të nesërmen të bisedosh me fëmijët për këto çështje kaq të rëndësishme”, tha ajo.
