Mbledhja e nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal, Marmullakaj: Numri ka arritur mbi katërshifror, nesër jemi në Pejë

Prishtinë | 04 Gus 2026 | 15:44 | Nga Artiona Çitaku

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka nisur një iniciativë për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal, me qëllim që mosrespektimi i qëllimshëm i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe keqpërdorimi i parasë publike, me theks të veçantë gjatë periudhave zgjedhore, të sanksionohen si vepra penale, raporton Ekonomia Online.

Për këtë iniciativë IKD po mbledhë nënshkrimet e qytetarëve nëpër komuna të vendit.

E, gjatë kësaj periudhe prej më shumë se 10 ditësh, kur edhe ka filluar mbledhja e nënshkrimeve numri i qytetarëve që kanë nënshkruar këtë peticion ka arritur shifrën katërshifrore.

Hulumtuesi në IKD, Qemajl Marmullakaj ka thënë për Ekonomia Online se synojnë që deri në mes të muajit shtator të mbledhin mbi 10 mijë nënshkrime.

“Po. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka marrë iniciativën që, në bazë të hulumtimeve që ka bërë, të plotësojë dhe ndryshojë Kodin Penal në mënyrë që të bëjë vepër penale mosrespektimin e qëllimshëm të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe keqpërdorimin e parasë publike me theks të veçantë gjatë periudhave zgjedhore. Kjo iniciativë ka filluar pak më shumë se 10 ditë më parë, ku kemi qenë në Prishtinë dy ditë, kemi qenë edhe në qytete të tjera si në Gjakovë dhe Prizren. Kemi arritur që së bashku me qytetarët të mbledhim një numër të konsiderueshëm, ku numri ka arritur mbi katërshifror deri më tani. Shpresojmë dhe jemi të bindur që, në bazë të gatishmërisë që kanë treguar qytetarët deri më tani, të arrijmë numrin e nevojshëm prej mbi 10,000 nënshkrimeve deri në mes të shtatorit të këtij viti”, tha Marmullakaj

Sipas Marmullakajt, përmes këtij peticioni synohet që të forcohet ligjshmëria në proceset zgjedhore dhe të mbrohet vullneti i qytetarëve.

“Me këtë peticion ne synojmë që, së bashku me qytetarët, të plotësojmë dhe ndryshojmë Kodin Penal në mënyrë që të kthehet ligjshmëria në proceset zgjedhore, që vullneti i qytetarëve të jetë i lirë e të mos jetë i cunguar nga veprimet institucionale të keqpërdorimit të parasë publike gjatë periudhave zgjedhore”, tha ai.

Ai theksoi se IKD-ja nuk është kundër ndarjes së mjeteve për kategori të ndryshme sociale, por kërkon që këto ndarje të rregullohen përmes legjislacionit përkatës.

“Të mos keqkuptohemi, Instituti i Kosovës për Drejtësi nuk është kundër ndarjes së mjeteve për kategori të ndryshme sociale, qofshin ato për pensionistë, studentë apo kategori të tjera. IKD kërkon që ndarjet e mjeteve për këto kategori të rregullohen me ligjin specifik për kategorinë specifike, apo edhe me Ligjin e Buxhetit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të dihet periudha, kategoria dhe shuma specifike që marrin këto kategori. Të mos ketë ndarje të mjeteve buxhetore vetëm në periudha zgjedhore, pasi kjo cungon ligjshmërinë dhe integritetin e zgjedhjeve dhe dëmton vullnetin e qytetarit gjatë procesit zgjedhor”, u shpreh ai.

Marmullakaj shtoi se, bazuar në hulumtimet e IKD-së, plotësim-ndryshimi i Kodit Penal është forma më e mirë për adresimin e këtyre çështjeve.

“Prandaj, Instituti i Kosovës për Drejtësi, në bazë të hulumtimeve që ka bërë, ka ardhur në përfundim që forma më e mirë e adresimit të këtyre problemeve është nëpërmjet plotësim-ndryshimit të Kodit Penal, të cilin synojmë ta dërgojmë gjatë vjeshtës në Kuvendin e Kosovës së bashku me qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen nismës dhe të vazhdojnë mbështetjen për mbledhjen e nënshkrimeve.

“Prandaj, i ftoj qytetarët që të mbajnë tempon aktuale, të vijnë sot në Prishtinë deri në orën 16:00, nesër do të jemi në qytetin e Pejës në sheshin “Skënderbeu”, dhe pasnesër do të jemi në Gjilan. I ftoj qytetarët që të na bashkohen në këtë iniciativë, pasi është për të mirën e qytetarëve dhe taksapaguesve të vendit tonë”, deklaroi ai.

Të ngjashme