Lëvizja Revolta ka protestuar para Kuvendit të Kosovës, duke kundërshtuar dhënien e shtetësisë së Kosovës për serbët, të cilët sipas saj nuk kanë lidhje me vendin, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje kërkuan transparencë nga institucionet për numrin e përfituesve të shtetësisë, shfuqizimin e ligjit të ri për shtetësinë dhe ndryshimin e një neni të Kushtetutës, duke paralajmëruar vazhdimin e protestave nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Rilind Kuçi, përfaqësues i Lëvizjes Revolta, deklaroi se Kosova po përballet siç tha ai me një të keqe të madhe.
“Sot kemi dalë për të protestuar, për të kundërshtuar një të keqe të madhe me të cilën është duke u përballë çdo ditë shteti jonë.
Bëhet fjalë për dhënien e shtetësisë për serbët të cilët nuk kanë të bëjnë asgjë me Kosovën.
Ne fillimisht kemi kërkuar prej Ministrisë së Punëve të Brendshme që të dalin publikisht dhe të tregojnë se sa serbë kanë aplikuar deri sot që nga ligji i ri për me fituar shtetësinë e Kosovës.
Ajo që kemi marrë prej Ministrisë ka qenë heshtja. Ata kanë vendosur me mshefë këtë të dhënë, prandaj ne kemi mbajtur një aktivitet simbolik para Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe prapë nuk kemi marrë përgjigje”, tha ai.
Kuçi i tregoi edhe tri kërkesat që kanë dnaj deputëtëve të Kuvendit të Kosovës.
“Sot kemi dalë me protestu para Kuvendit ditën kur do të bëhet betimi i deputetëve të rinj. Ndaj tyre i kemi tre kërkesa:
1. E para ka të bëjë me shtrimin e presionit mbi Qeverinë për publikimin e numrit të saktë të serbëve që kanë fituar shtetësinë e Kosovës që nga ligji i ri.
2. Kërkesa e dytë lidhet me shfuqizimin e ligjit të ri për shtetësi, pasi që konsiderojmë që ky ligj përshpejton dhe lehtëson procedurat e serbëve që të fitojnë shtetësinë e Kosovës.
3. Edhe kërkesa e tretë ka të bëjë me shfuqizimin e nenit 155 prej Kushtetutës, i cili i jep të drejtë serbëve të cilët kanë qenë banorë në vitin 1998 me fituar shtetësinë e Kosovës”, tha ai.
Ndërsa, u shpreh se këto vendime mund të merren nga deputetët e rinj, sepse përgjegjësia u takon atyre.
“Të gjitha këto vendime munden me i marrë deputetët e rinj, pasi që ata sot po e marrin mandatin, e së bashku me mandat vjen edhe përgjegjësia për këtë vend edhe për këtë shtet. Prandaj le të tregohen të përgjegjshëm dhe t’i marrin këto vendime edhe kërkesat tona le t’i kenë parasysh.
Në të kundërtën, ne i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të na bashkohen në çdo mbledhje të ardhshme të Kuvendit, sepse do të bëjmë protestë deri kur këto kërkesa të merren parasysh”, tha ai.


