KDI: Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit do të ishte shkelje e Kushtetutës

Prishtinë | 06 Gus 2026 | 15:11 | Nga Drita Dërmaku

Përkundër se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit po numëron orët e fundit, deputetët nuk arritën as në seancën e së enjtes ta përmbyllin këtë proces, raporton Ekonomia Online.

Me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, seanca u ndërpre për t’i lënë hapësirë negociatave për një marrëveshje politike rreth zgjedhjes së presidentit/es.

Ndërsa u cilësua ky veprim si shkelje të Kushtetutës, Hulumtuesi i lartë në Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, thotë se ndërprerja është në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Megjithatë, Bugaqku thotë se Rregullorja e Punës së Kuvendit lejon ndërprerjen e seancës, për sa kohë që ajo nuk zgjat më shumë se 48 orë.

“Shikoni, së pari, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, sepse duhet t’i referohemi Rregullores, e cila në tërësi është një farë lloj kushtetute e Parlamentit të Kosovës. Rregullorja i përcakton të gjitha procedurat e zhvillimit të seancave, qoftë ato konstituive, qoftë ato edhe të seancave të rregullta të Kuvendit. Nuk është në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit ndërprerja e seancës konstituive në rastin konkret, për faktin që partia ose subjekti politik i cili e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit, në një moment të caktuar merr njoftim për propozim që ndërprerja të ndodhë për arsye qoftë politike, qoftë edhe për arsye të ndryshme”, deklaroi ai.

Sipas tij, dispozitat e Rregullores e parashohin qartë mundësinë e ndërprerjes së seancës, por edhe kufirin kohor për vazhdimin e saj.

“Madje Rregullorja ka atje një dispozitë e cila thotë që, për çfarëdo lloj arsyeje të ndërprerjes së seancës së Kuvendit, e njëjta ndërprerje nuk mund të zgjatet më tepër se sa 48 orë nga dita kur është ndërprerë. Prandaj edhe vetë kjo Rregullore e Punës së Kuvendit e lejon mundësinë që të kemi ndërprerje të seancës konstituive, por që nuk mund të zgjasë më tepër se sa 48 orë nga dita ose nga momenti i kësaj ndërprerjeje”, tha Bugaqku.

Ai e dalloi situatën aktuale nga kriza e vitit të kaluar, kur sipas tij pati veprime procedurale antikushtetuese gjatë përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit.

“Prandaj edhe seanca që kemi pasur vitin e kaluar, ju kujtohet ajo radha e caktimit të mbajtjes së seancave çdo 48 orë, tani nuk është situata e njëjtë, sepse në atë kohë shkaktarë ishin veprimet antikushtetuese. Ju kujtohet zgjedhja e kryetarit jo në përputhje me procedurat ose tentimi për ta zgjedhur kryetarin në kundërshtim me kuorumin dhe dispozitat e Kushtetutës, apo edhe ato procedurat për të vazhduar me votimin e mbyllur të zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Të gjitha këto kanë qenë veprime konkrete që e cenonin edhe rendin e ditës së seancës konstituive të Kuvendit. Kurse në rastin konkret nuk patëm asnjë veprim procedural që mund të cilësohet si shkelje. Thjesht pati një kërkesë që të pezullohet përkohësisht funksionimi ose vazhdimi i seancës konstituive deri në, siç e thanë ata, një marrëveshje potenciale për ta zgjidhur çështjen e kryetarit. Arsyetimi nuk është aq shumë i qëndrueshëm për faktin se nuk duhet të ndërlidhet konstituimi i Kuvendit edhe me çështjet politike sa i përket arritjes së marrëveshjes për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh ai.

Bugaqku theksoi se testi i vërtetë kushtetues do të jetë respektimi i afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

“Mirëpo duhet me sqaruar një fakt, që deputetët e Kuvendit të Kosovës nesër në ora 23:59 e kanë afatin e fundit dhe duhet ta respektojnë këtë afat 30-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për ta konstituar Parlamentin e Kosovës. Në rast se nesër ndodh që këta deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk e kanë respektuar këtë afat, atëherë me të drejtë mund të thoshim se kemi shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe shkelje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të viteve të kaluara, e cila në njëfarë forme ka interpretuar se çfarë nënkupton thirrja e seancës brenda 30 ditëve dhe përfundimi i kësaj seance brenda atyre 30 ditëve”, deklaroi ai.

Megjithatë, sipas ekspertit të KDI-së, sistemi juridik nuk përcakton se çfarë ndodh nëse ky afat nuk respektohet.

“Mirëpo këtu kemi një zbrazëtirë ose, le të thoshim kështu, një paqartësi, dhe ajo paqartësi ndërlidhet me mungesën e pasojës politike apo kushtetuese që mund t’i përcaktohet këtyre deputetëve të Kuvendit të Kosovës në rast se të njëjtit, me qëllim apo edhe pa qëllim, nuk e konstituojnë Kuvendin brenda këtij afati 30-ditor. Pra aktualisht as Kushtetuta e Kosovës, as Rregullorja e Punës së Kuvendit, por as vetë vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk na kanë dhënë sqarime se çfarë ndodh dhe çfarë pasojash ose efektesh prodhon situata në rast se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e respektojnë afatin 30-ditor për moskonstituimin e Parlamentit të Kosovës. Në njëfarë forme Gjykata e ka sqaruar që kjo përbën cenim të Kushtetutës, të rendit kushtetues, por nuk ka sanksionuar, le të thoshim kështu, as politikisht e as në gjykimin kushtetues se cilat janë efektet e moszbatimit të këtij vendimi”, shtoi Bugaqku.

Konstituimi i Kuvendit, si hap i parë në procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës, nuk u përmbyll siç pritej, në paraditen e 6 gushtit.

Seanca konstituive e së enjtes u shty nga kryesuesi i saj, pas betimit të deputetëve të rinj, me kërkesë të kryetarit të partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), për t’i dhënë kohë arritjes së një marrëveshjeje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Teksa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit – që do të hapte rrugën për formimin e qeverisë dhe për zgjedhjen e presidentit të shtetit – skadon të premten në mesnatë, dy partitë ende nuk duken afër një ujdie.

Për më tepër, procesin negociues mund ta ndërlikojë kërkesa e shprehur publikisht e LDK-së që ta ketë postin e presidentit.

Për LVV-në e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, presidenti i ri i vendit duhet të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale, ndërkaq për LDK-në kushdo që i ka 80 vota.

Të ngjashme