Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ka ndërmarrë masa ndaj disa bizneseve në lagjet Arbëri dhe Ulpianë, pasi gjatë inspektimeve në terren janë identifikuar lidhje ilegale me rrjetin e ujësjellësit.
Sipas njoftimit të KRU “Prishtina”, bizneset e identifikuara ishin të kyçura në mënyrë të paligjshme, jashtë ujëmatësit, ndërsa ekipet e kompanisë kanë realizuar shkyçjen e tyre.
“Këto raste janë evidentuar gjatë kontrolleve në terren dhe ndaj tyre janë ndërmarrë masat përkatëse”, ka bërë të ditur kompania.
KRU “Prishtina” u ka bërë apel të gjithë konsumatorëve që kanë lidhje të tilla ilegale që të paraqesin kërkesë për legalizim, me qëllim shmangien e shkyçjeve dhe masave të tjera të parapara me ligj.
Kompania ka theksuar se do të vazhdojë me inspektimet në terren për identifikimin e keqpërdorimeve të rrjetit të ujësjellësit.