Reshitaj: Mbrëmë ka ndodhur një situatë e turpshme dhe e jashtëzakonshme

Prishtinë | 08 Gus 2026 | 11:32 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albena Reshitaj, ka kritikuar ashpër situatën politike në vend, pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës. Ajo e ka cilësuar situatën si “të jashtëzakonshme” dhe “të turpshme”, duke thënë se Kosova ka dhënë një mesazh të keq para botës, raporton Ekonomia Online.

Reshitaj ka shprehur zhgënjimin e saj me mënyrën se si, sipas saj, po ndërtohet e ardhmja e vendit dhe ka kritikuar mungesën e bashkëpunimit politik.

“Siç e keni pa, mbrëmë në Kosovë ka ndodhë një situatë e jashtëzakonshme, e turpshme dhe kemi dhanë një mesazh jashtëzakonisht të keq edhe para gjithë botës.

Jam shumë e dëshpëruar me atë se si po ndërtohet një e ardhme e këtij vendi, me çfarë mënyre, edhe se si nuk ka aspak sinqeritet në bashkëpunime, në takime, edhe në mundësi për të ndërtuar një të ardhme të mirë e të shëndoshë për Republikën e Kosovës”, ka thënë ajo.

Reshitaj ka deklaruar se një ditë më parë kishte bërë thirrje që deputetët të shkonin në Kuvend për ta konstituuar atë. Sipas saj, mungesa e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje ishte një bojkot i institucioneve.

“Dhe unë kam bërë një ftesë dje që deputetët të vijnë të gjithë në Kuvend dhe të konstituohet Kuvendi. Siç e keni pa, asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka ardhur dje në Kuvend. Bile ka pasë nga ata të cilët nuk kanë qenë fare në Kosovë, kanë shkuar në pushime. Dhe besoj që qytetarët e Republikës së Kosovës po e shohin qartazi se kush po e bojkoton shtetin. Dhe kush e ka qëllimin që nga baza, nga fillimi të bojkotojë institucionet dhe shtetin”, është shprehur Reshitaj.

Ajo u ka bërë thirrje deputetëve që, sipas saj, të reflektojnë dhe të marrin përgjegjësi institucionale.

“Duhet të reflektojnë dhe të kuptojnë që tani kanë përgjegjësi shumë të madhe politike sepse nuk janë më aktivistë të rrugës, por janë institucionalistë dhe duhet të sillen si institucionalistë dhe të marrin përgjegjësi për këtë vend. Sepse nuk do t’u falë Kosova. Nuk do t’u falin as ata që sot nuk janë në mezin tonë dhe kanë bërë, kanë dhënë shumë e janë flijuar për këtë vend”, ka thënë ajo.

Reshitaj ka treguar se është ftuar nga kryetari i LDK-së në një mbledhje të grupit parlamentar, ku pritet të diskutohen hapat e mëtejshëm të kësaj partie.

“Dhe unë sot kam ardhur sepse jam ftuar nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në grupin parlamentar për të pasur një mbledhje nga ora 10:30 dhe për të diskutuar vendimet e mëtutjeshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë konstruktive dhe e gatshme për të bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje për të ndërtuar institucione të qëndrueshme në Republikën e Kosovës, ashtu siç ka qenë gjithmonë një parti e cila ka ndërtuar, nuk ka shkatërruar, po ka ndërtuar institucione edhe në periudha shumë të vështira për Kosovën”, ka deklaruar Reshitaj.

Sipas saj, LDK-ja po mundohet të kontribuojë për funksionalizimin e institucioneve, ndërsa ajo ka ngritur shqetësime për pamundësinë e deputetëve për të ushtruar mbikëqyrjen parlamentare ndaj Qeverisë.

“Prandaj unë mendoj që Lidhja Demokratike e Kosovës është duke dhënë maksimumin e saj për të pasur një shtet funksional dhe institucione funksionale. Më vjen keq që ne ka kohë që nuk jemi duke arritur si deputetë ta kontrollojmë punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ky është dëmi më i madh që është duke i bërë vendit, sepse ne nuk e dimë se çfarë po ndodh në dikasteret qeveritare, sepse nuk jemi duke e përcjellë, nuk po kemi mundësi ta luajmë rolin për të cilin jemi mandatuar nga populli”, ka thënë ajo.

Reshitaj ka ngritur edhe pyetje se çfarë, sipas saj, mund të jetë duke u fshehur pas kësaj situate.

“Pra, e keqja më e madhe për momentin është sepse është një shqetësim se çka po fshihet pas. Pse nuk po na lejohet neve si deputetë ta bëjmë punën tonë si duhet, sa më parë që është e mundur? Pse po vonohen këto mundësi? Çka po ndodh, çfarë po ndodh nëpër dikasteret qeveritare që ne nuk po lejohemi t’i kontrollojmë ashtu siç duhet edhe pse nuk po ndërtojmë, pse nuk po funksionalizojmë grupet parlamentare, pastaj grupet funksionale brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës?”, është shprehur deputetja e zgjedhur e LDK-së.

Ajo ka theksuar se deputetët kanë mandat kushtetues dhe politik për ta mbikëqyrur punën e ekzekutivit dhe ka pyetur se kujt i konvenon mosfunksionalizimi i këtij mekanizmi.

“Siç e dini, deputetët janë ata të cilët përmes instrumenteve politike arrijnë që ta përcjellin, ta kontrollojnë, ta menaxhojnë dhe ta kontrollojnë punën e Qeverisë. Pse kjo situatë e tillë? Kujt po i konvenon që mos të kontrollohet puna e Qeverisë? Pse nuk duhet ta kontrollojmë ne si deputetë, jemi zgjedhur që ta kontrollojmë punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës? Çfarë po ndodh me ministritë? Me gjithë ato vendime që po merren dhe ne jemi në heshtje, jemi si ta thëm në një situatë të tillë që nuk e dimë çfarë po ndodh sepse nuk po kemi qasje. E keni parasysh? Dhe pse kjo po ndodh?”, ka deklaruar Reshitaj.

Të ngjashme